Leximet e ditës
JAVA E XIX GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 73, 20.19.22.23
Shiko, o Zot, mbi besëlidhjen tënde dhe mos e harro kurrë jetën e të varfërve të tu. Ngrihu, o Hyj, dhe mbroje çështjen tënde, e mos e harro britmën e atyre që të kërkojnë.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, të mësuar nga Shpirti Shenjt guxojmë të të thërrasim Atë: përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore, që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 12, 1-12) (fq. 1155/6)
Unë të mbarta ndër sytë e tyre.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Atëherë 1 më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 “Biri i njeriut, ti banon në mesin e njerëzve kryekëcyer, të cilët i kanë sytë për të parë e nuk shohin, veshët për të dëgjuar e nuk dëgjojnë, sepse janë njerëz kryengritës.
3 Ti, pra, biri i njeriut, bëje gati bohçen për udhëtim e ndër sy të tyre bëj kinse po shpërngulesh ditën për diell, e shpërngulu nga vendi yt në një vend të tjetër ndër sy të tyre, a mos ndoshta e hetojnë se janë pjellë e keqe.
4 Merre bohçen tënde, sikurse ai që shpërngulet, ditën, ndër sytë e tyre e qite jashtë; dil jashtë në mbrëmje siç bën ai që niset për mërgim. 5 Ndër sy të tyre shporoje murin e dil nëpër të. 6 Ndër sy të tyre vëre në krah bohçen e mbarte në terrin e natës; mbuloje fytyrën që të mos e shikosh tokën, sepse të bëra shenjë për shtëpinë e Izraelit.
7 Bëra ashtu si më urdhëroi Zoti: ditën e nxora jashtë bohçen, bohçen e shpërngulësit, e në mbrëmje e shporova murin me dorën time e në terrin e natës e ngarkova në krah dhe e mbarta ndër sytë e tyre.
8 Në mëngjes më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 9 “Biri i njeriut, vallë a nuk të pyeti shtëpia e Izraelit, ajo pjellë e keqe: ‘Çka po bën ashtu?’ 10 Përgjigju: Kështu thotë Zoti Hyj: Kjo është profeci për prijësin që është në Jerusalem e për mbarë shtëpinë e Izraelit që është në të.
11 Thuaj: Unë jam shenja juaj! Siç bëra unë, ashtu do t’u ndodhë atyre: do të shkojnë në mërgim e në skllavëri! 12 Prijësit që është ndër ta do t’i duhet në krah ta mbartë bohçen e në terrin e natës do të dalë. Murin do ta birojnë që të bëhet kalim nëpër të; fytyrën e vet do ta mbulojë që me sy të mos e shohë tokën.
Fjala e Zotit
Psalmi 78 (77), 56-57.58-59.61-62 (fq. 745)
Ref. Do i shpall veprat e tua, o Zot.
56 E ata prapë e ngucën dhe e hidhëruan Hyjin e tejetlartë,
nuk ia mbajtën urdhërimet e tija.
57 u shmangën, nuk i mbajtën besën si etërit e tyre,
u kthyen prapazi porsi harku i prishur.
Ref. Do i shpall veprat e tua, o Zot.
58 E hidhëruan me lartësirat e tyre,
dhe e ngucën me gdhendjen e idhujve.
59 Dëgjoi Hyji dhe u ndez në hidhërim,
për së tepërmi iu ndy Izraeli.
Ref. Do i shpall veprat e tua, o Zot.
61 Fuqinë e vet e la të bjerë në robëri,
nderin e vet në duar të armiqve.
62 Popullin e vet ia dorëzoi shpatës,
kundër pronës së vet u ndez plotë hidhërim.
Ref. Do i shpall veprat e tua, o Zot.
Aleluja
Ndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd dhe m’i mëso urdhërimet e tua. (Ps 119 (120), 135)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 18, 21-19, 1) (fq. 1409/10)
Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 21 Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”
22 Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!
23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.
28 Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e shtiu në burg derisa të kthente detyrimin.
31 Kur shërbëtorët e tjerë - shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin.
35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”
19,1 Si i kreu Jezusi këto fjalime, doli prej Galilesë e erdhi në krahinën e Judesë, në bregun tjetër të Jordanit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate, të cilat Ti vetë ia dhe për t’i kushtuar dhe me pushtetin tënd shndërroji në sakramentin e shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 147, 12.14
Lëvdoje, o Jerusalem, Zotin, sepse ai të ushqen me më të mirin grurë.
Ose: Krh. Gjn 6, 52
Buka që unë do t’ju jap është Trupi im për jetën e botës, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Na shpëtoftë, o Zot, pjesëmarrja në sakramentet e tua dhe na forcoftë në dritën e së vërtetës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.