Leximet e ditës

JAVA E XIX GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 73, 20.19.22.23

 

Shiko, o Zot, mbi besëlidhjen tënde dhe mos e harro kurrë jetën e të varfërve të tu. Ngrihu, o Hyj, dhe mbroje çështjen tënde, e mos e harro britmën e atyre që të kërkojnë.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, të mësuar nga Shpirti Shenjt guxojmë të të thërrasim Atë: përforcoje në ne shpirtin e bijësisë hyjnore, që të meritojmë të hyjmë në trashëgimin e premtuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 16, 1-15.60.63) (fq. 1159/61)

 

E përsosur ishte bukuria jote dhe lavdia që unë ta dhurova: por ti e shfrytëzove për fëlligështi.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 2 “Biri i njeriut, njoftoja Jerusalemit të gjitha turpësitë e tija! 3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj kundër Jerusalemit: Prejardhja jote dhe vendlindja jote është toka Kanaan. Yt atë amorreas e nëna jote hetite. 4 Ti kur linde, ditën e lindjes sate, nuk të qe prerë kërthiza, nuk të lanë në ujë për t’u pastruar as s’qe kripur me kripë as s’qe mbështjellë me shpërgënj. 5 Asnjë sy s’pati dhembshuri për ty që ta bëjë ndonjërën nga këto gjëra, as s’pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut.

6 Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të premtova ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! Të thashë po them atëherë kur ishe në gjak: Jeto! 7 E bëra që të rritesh porsi bari në arë. Ti u rrite, u bëre e madhe, ia arrite moshës së vajzërisë. Parzmat e tua ngufën, flokët t’u rritën; por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp.

8 Kalova përbri teje e të pashë; mosha jote, ja, ishte mosha e dashurimit. E hodha mbi ty mallotën time dhe e mbulova zhveshtësinë tënde; atëherë unë t’u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty thotë Zoti Hyj e ti u bëre imja. 9 Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj. 10 Të vesha me petka të larme, në këmbë t’i mbatha sandalet prej më të mirës lëkurë, të ngjesha me li të përpunuar e të vesha me mëndafsh. 11 Të stolisa me stoli, të vura në duar dorëzat, gjerdan në fytin tënd. 12 Me unazë të zbukurova hundën, me vathë veshët e tu e me kurorën e shkëlqimit kokën tënde! 13 U stolise me ar e me argjend, u veshe me li të përpunuar e me mëndafsh të ngjyrëngjyrshëm. U ushqeve me më të mirin miell, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë e bukur, tejet e hijshme, e denjë për Mbretëreshë. 14 Zëri yt i mirë u hap ndër popuj për shkak të bukurisë sate, sepse ishe e përsosur në stolinë time që ta kisha dhënë - thotë Zoti Hyj.

15 Por ty t’i mori mendtë bukuria jote dhe e shfrytëzove zërin e mirë tëndin për të bërë fëlligështi dhe i ofrove fëlligështinë tënde gjithkujt, të gjithë kalimtarëve. 60 Por unë do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj në të mirën tënde një besëlidhje të përhershme. 63 që të kujtohesh e të turpërohesh e të mos guxosh kurrë më ta çilësh gojën tënde prej turpit kur unë të kam falur gjithçka ke bërë thotë Zoti Hyj.”

 

Fjala e Zotit

 

Ose:

 

Leximi i parë (Ez 16, 59-63) (fq. 1161)

 

Do ta kujtoj Besëlidhjen time që e lidha me ty.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

59 Kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të sillem me ty sikurse edhe ti u solle, ti që e theve besën me përbetim, sa që e theve deri edhe besëlidhjen. 60 Por unë do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj në të mirën tënde një besëlidhje të përhershme, 63 që të kujtohesh e të turpërohesh e të mos guxosh kurrë më ta çilësh gojën tënde prej turpit kur unë të kam falur gjithçka ke bërë thotë Zoti Hyj.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi Is 12, 2-3.4bcd.5-6 (fq. 988)

 

Ref. Hidhërimi yt, o Zot, u zbut dhe ti më ngushëllove.

 

2 Qe, Hyji Shëlbuesi im,

kam besim e nuk kam frikë,

sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,

Ai është shpëtimi im.”

 

Ref. Hidhërimi yt, o Zot, u zbut dhe ti më ngushëllove.

 

3 Me galdim do të merrni ujë

nga burimet e shëlbimit.

4 Edhe thoni atë ditë:

“Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,

shpallini ndër popuj veprat e tija,

kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!

 

Ref. Hidhërimi yt, o Zot, u zbut dhe ti më ngushëllove.

 

5 Këndojini Zotit, sepse bëri mrekulli,

le ta marrë vesh bota mbarë!

6 Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit,

sepse i madhërishëm është në mesin tuaj

Shenjti i Izraelit!”

 

Ref. Hidhërimi yt, o Zot, u zbut dhe ti më ngushëllove.

 

Aleluja!

Pranojeni fjalën e Hyjit jo si fjalë njerëzish, por si në të vërtetë është: si fjalën e Hyjit. (1 Sel 2, 13)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 19, 3-12) (fq. 1410)

 

Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 3 iu paraqitën Jezusit disa farisenj dhe, me qëllim që ta sprovonin, e pyetën: “A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan për ndonjë arsye.”

4 Jezusi iu përgjigj: “A nuk keni lexuar: Krijuesi, kur i krijoi në fillim i krijoi mashkull e femër 5 e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’ 6 Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!”

 7 Por ata vijuan: “E përse atëherë Moisiu urdhëroi: ‘të jepet letërndarja e të lëshohet?’“

 8 Ai u përgjigj: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur. Por në fillim nuk ka qenë ashtu. 9 Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet përveç në rast të fëlligështisë e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.”

10 Nxënësit i thanë: “Nëse qenka e tillë gjendja e burrit ndaj gruas, atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!”

11 Ai u përgjigj: “S’e kuptojnë të gjithë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim. 12 Sepse, ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë, ka edhe asish që njerëzit i bënë të paaftë për martesë dhe ka asish që i bien mohit martesës për dashuri të Mbretërisë së qiellit. Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, dhuratat e Kishës sate, të cilat Ti vetë ia dhe për t’i kushtuar dhe me pushtetin tënd shndërroji në sakramentin e shpëtimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 147, 12.14

 

Lëvdoje, o Jerusalem, Zotin, sepse ai të ushqen me më të mirin grurë.

 

Ose: Krh. Gjn 6, 52

 

Buka që unë do t’ju jap është Trupi im për jetën e botës, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Na shpëtoftë, o Zot, pjesëmarrja në sakramentet e tua dhe na forcoftë në dritën e së vërtetës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.