Leximet e ditës
15 gusht
TË NGRITURIT E SHËN MARISË VIRGJËR NË QIELL
e kremte
MESHA E VIGJILIES
Antifona e hyrjes
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Mari: sot je lartësuar përmbi të gjitha koret e engjëjve dhe tani ngadhënjen me Krishtin për amshim.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti e pe me pëlqim përvujtërinë e shën Marisë Virgjër dhe aq fort e lartësove, sa që i Njëlinduri Biri yt të lindte prej saj e në ditën e sotme e kurorëzove me më të lartin nder; bëj që, me ndërmjetësinë e saj, të shpëtuar me anë të misterit të shëlbimit tënd, të meritojmë të ngrihemi edhe ne tek Ti. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Kro 15, 3-4.15-16; 16, 1-2) (491/2)
E vendosën Arkën e Hyjit në midis të tendës që e kishte ngrehur e bërë gati Davidi.
Lexim prej Librit të Kronikave
Në ato ditë, 3 Davidi e bashkoi në Jerusalem mbarë Izraelin për ta sjellë Arkën e Hyjit në vendin e saj që ia kishte bërë gati. 4 Ai i bashkoi gjithashtu bijtë e Aronit dhe levitët. 15 Bijtë e Levit e morën Arkën e Hyjit, me shtatka në krah sipas urdhrit të Moisiut që e kishte marrë prej Zotit.
16 Atëherë Davidi u tha prijësve të levitëve të caktojnë prej vëllezërve të vet këngëtarë me vegla muzikore përcjellëse, d. m. th. me harpa, me cetra dhe me cimbale që të jehojë thekshëm zëri i gëzimit.
16,1 Kështu e futën Arkën e Hyjit dhe e vendosën midis të tendës që e kishte ngrehur Davidi për të. Mandej kushtuan fli shkrumbimi dhe pajtimi para Hyjit.
2 Kur Davidi i dha fund kushtimit të flive të shkrumbimit dhe të pajtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit.
Fjala e Zotit
Psalmi 132 (131), 6-7.9-10.13-14 (fq. 812)
Ref. Ngrihu, o Zot, ti dhe arka e pushtetit tënd.
6 Ja, dëgjuam se është në Efratë,
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
7 Le të hyjmë në tendën e tij,
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!
Ref. Ngrihu, o Zot, ti dhe arka e pushtetit tënd.
9 Priftërinjtë e tu le të veshën me drejtësi,
shenjtërit e tu le të brohorisin me galdim.
10 Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit,
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
Ref. Ngrihu, o Zot, ti dhe arka e pushtetit tënd.
13 Sepse Zoti e zgjodhi Sionin,
e pëlqeu për selinë e vet:
14 “Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë,
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirova.
Ref. Ngrihu, o Zot, ti dhe arka e pushtetit tënd.
Leximi i dytë (1 Kor 15, 54-57) (fq. 1625)
Hyji na e jep fitoren përmes Jezu Krishtit.
Lexim prej letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 54 kur ky trup i shkatërrueshëm, të veshë pashkatërrueshmërinë dhe ky trup i vdekshëm të veshë pavdekshmërinë, atëherë do të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘Vdekja u përpi në fitore. 55 O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?’
56 Thimthi i vdekjes është mëkati; fuqia e mëkatit Ligji.
57 Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë me dashuri! (Krh. Lk 11, 28)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 11, 27-28) (fq. 1480)
Lum kraharori që të mbarti!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë 27 ndërsa Jezusi po fliste, një grua në mes të turmës e çoi zërin e i tha: »Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!«
28 Ai iu përgjigj: »Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!«
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e pajtimit e të lavdit që po ta kushtojmë sot, në të kremten e të Ngriturit në qiell të Hyjlindëses: bëj që kjo fli të na fitojë faljen e mëkateve, e të na bëjë gjithmonë mirënjohës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Prefacioni: Lumturia qiellore e shën Marisë
M Zoti qoftë me ju.
P Dhe me shpirtin tënd.
M T’i lartësojmë zemrat.
P I kemi te Zoti.
M Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Sepse sot u ngrit në qiell Virgjëra, Hyjlindëse,
fryti i parë dhe imazhi i Kishës sate,
udhëtreguese e shpresës së sigurt dhe e ngushëllimit
për popullin tënd në udhëtim.
Me të drejtë Ti nuk lejove që trupin, që e ka bartur Birin tënd
dhe ka nxjerrë në dritë autorin e jetës
ta prekte shkatërrueshmëria e varrit.
Dhe prandaj, të shoqëruar me koret engjëllore,
të lavdërojmë duke dëshmuar me gëzim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Krh. Lk 11, 27
Lum kraharori i Virgjërës Mari, që barti Birin e Atit të amshueshëm.
Lutja pas kungimit
Pasi u kunguam në gostinë qiellore, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, na liro prej rreziqeve që na kërcënohen, neve që me nderim po e përkujtojmë të Ngriturit në qiell të Hyj lindëses. Nëpër Krishtin Zotin tonë.