Leximet e ditës
15 gusht
TË NGRITURIT E SHËN MARISË VIRGJËR NË QIELL
e kremte
MESHA E DITËS
Antifona e hyrjes Krh. Zb 12, 1
Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kezën me dymbëdhjetë yje.
Ose:
Të gëzohemi të gjithë në Zotin, duke kremtuar festën në nder të Marisë Virgjër: për të ngriturit e saj në qiell gëzohen engjëjt dhe e lavdërojnë Birin e Hyjit.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm e i amshueshëm, Ti e ngrite në lumturinë e qiellit me trup e me shpirt shën Marinë Virgjër, Nënën e papërlyer të Birit tënd; bëj t’i kemi gjithmonë parasysh të mirat qiellore, që të bëhemi pjesëtarë të lumturisë së saj. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Zb 11, 19a; 12, 1-6a.10ab) (fq. 1743/45)
U duk një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë!
Lexim prej Librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull
19 Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij! 12,1 Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! 2 Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.
3 Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! 4 Bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit - dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante.
5 Dhe Ajo lindi fëmijën - një Djalosh - që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri.
Por Fëmija i Saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, 6 kurse Gruaja iku në shkretëtirë ku Hyji i përgatiti një vend. 10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: »Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.
Fjala e Zotit
Psalmi 45 (44), 10.11.12.15.16 (fq. 708)
Ref. Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha.
10 Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde,
në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha,
në ar Ofiri e ngrirë.
Ref. Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha.
11 Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd.
Ref. Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha.
12 Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote.
nderoje atë, Ai është zotëria yt!
Ref. Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha.
15 Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
16 Me hare u prijnë e me brohori,
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
Ref. Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha.
Leximi i dytë (1 Kor 15, 20-27a) (fq. 1624)
Krishti është fryti i parë i të vdekurve!
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintanëve
Vëllezër, 20 Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!
21 Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një NJERI vjen ngjallja prej së vdekuri. 22 Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. 23 Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë - Krishti, pastaj, në Ditën e Gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, 24 pastaj - mbarimi, kur Krishti t'ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi.
25 Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij.
26 Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. 27 Sepse »gjithçka ka vënë nën këmbët e tija«
Fjala e Zotit
Aleluja!
Maria u ngrit në qiell: galdojnë aradhet engjëllore.
Aleluja!
Ungjilli (Lk 1, 39-56) (fq. 1459/60)
Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushteshëm
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës.
40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.41 Tashti porsa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj.
Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
46 Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, 47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, 48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur, 49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm ‑ i shenjtë është Emri i tij! 50 Mëshira e tij brezni më brezni për ata që e druajnë. 51 E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, 52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit. 53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë e të pasurit i nisi duarthatë. 54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke e sjellë në mend mëshirën 55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑ në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.”
56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
U ngrittë te Ti, o Zot, flia që po ta kushtojmë dhe, me ndërmjetësinë e shën Marisë të ngritur në qiell, na i ndiz zemrat me dashurinë tënde, që gjithmonë të të dëshirojnë vetëm ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Prefacioni: Lumturia qiellore e shën Marisë
M Zoti qoftë me ju.
P Dhe me shpirtin tënd.
M T’i lartësojmë zemrat.
P I kemi te Zoti.
M Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Sepse sot u ngrit në qiell Virgjëra, Hyjlindëse,
fryti i parë dhe imazhi i Kishës sate,
udhëtreguese e shpresës së sigurt dhe e ngushëllimit
për popullin tënd në udhëtim.
Me të drejtë Ti nuk lejove që trupin, që e ka bartur Birin tënd
dhe ka nxjerrë në dritë autorin e jetës
ta prekte shkatërrueshmëria e varrit.
Dhe prandaj, të shoqëruar me koret engjëllore,
të lavdërojmë duke dëshmuar me gëzim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Lk 1, 48-49
Të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur, sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm.
Lutja pas kungimit
Të ushqyer me sakramentet shpëtimtare, bëj, o Zot, që me ndërmjetësinë e shën Marisë Virgjër të ngritur në qiell, të arrijmë lumturinë e ngjalljes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.