Leximet e ditës

JAVA E XX GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Ps 83, 10-11

 

Shiko, o Hyj, mbrojtësi ynë, shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd. Vërtet, më e mirë është një ditë në shtëpinë tënde se një mijë të tjera.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti u ke përgatitur të mira të padukshme atyre që të duan: ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, të fitojmë prej teje trashëgimin e premtuar, që tejkalon çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 56, 1.6-7) (fq. 1038)

 

Do t’i shpie ardhacakët në Malin tim të shenjtë.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

 

1 Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë, sepse shëlbimi im është duke ardhur e s’vonon të dëftohet drejtësia ime.” 6 Kurse bijtë e ardhacakut, që do t’i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t’ia dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorët e tij, të gjithë ata që do ta ruajnë të shtunën e nuk do ta çnderojnë, që do ta mbajnë besëlidhjen time, 7 do t’i shpie në Malin tim të shenjtë dhe do t’i gëzoj ata në Shtëpinë e uratës sime: flitë e shkrumbimit e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të gjithë popujt.”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 67 (66), 2-3.5.6.8 (fq. 730)

 

Ref. Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj.

 

2 Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

3 që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

 

Ref. Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj.

 

5 Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

 

Ref. Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj.

 

6 Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

8 Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

 

Ref. Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj.

 

Leximi i dytë (Rom 11, 13-15.29-32) (fq. 1525/6)

 

Dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 13 unë si apostull i paganëve do të jem i lumtur në shërbesën time 14 nëse do t’i nxis në xhelozi ata të gjakut tim e nëse do të mund të shëlboj ndonjë ndër ta. 15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, çka thua do të jetë atëherë pranimi i tyre në fe, në qoftë se jo kalim prej vdekjes në jetë? 29 Sepse dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.

30 Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës së tyre, fituat mëshirën, 31 ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën. 32 Pra, Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Jezusi e predikonte Ungjillin e Mbretërisë duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë. (Mt 4, 23)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 15, 21-28) (fq. 1405)

 

Grua e madhe është feja jote!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë  21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kaanani, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare.

Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” 24 Ai u përgjigj: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo u afrua, u përkul thellë më nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” 26 Jezusi iu përgjigj: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve.” 27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.” 28 Atëherë Jezusi iu përgjigj: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment u shërua bija e saj.

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, këto dhurata, me të cilat bëhet shndërrim i mrekullueshëm; e ndërsa ne të kushtojmë atë që Ti na dhurove, bëj të meritojmë të të marrim ty në zemrat tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 129, 7

 

Te Zoti është mëshira, dhe i madh është tek ai shëlbimi.

 

Ose: Gjn 6, 51-52

 

Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, thotë Zoti: kush ha këtë bukë, do të jetojë në amshim.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, me këto sakramente jemi bashkuar me Krishtin; me përvujtëri po kërkojmë mirësinë tënde, na bëj të ngjashëm me të mbi tokë dhe bashkëtrashëgimtarë në lumturinë e tij në qiell. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.