Leximet e ditës

JAVA E XX GJATË VITIT

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Ps 83, 10-11

 

Shiko, o Hyj, mbrojtësi ynë, shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd. Vërtet, më e mirë është një ditë në shtëpinë tënde se një mijë të tjera.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti u ke përgatitur të mira të padukshme atyre që të duan: ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, të fitojmë prej teje trashëgimin e premtuar, që tejkalon çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 24, 15-24) (fq. 1172/3)

 

Ezekieli lë t’ju mbetet shenjë: bëni gjithçka siç bëri ai.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

Atëherë 15 më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 16 “Biri i njeriut, ja, unë po ta marr papritmas atë që është kënaqësia e syve të tu. Mos u pikëllo, mos qaj as mos derdh lot! 17 Dënes në heshtje, mos bëj gjëmë si bëhet zakonisht për të vdekur. Çallmën mbaje lidhur rreth kreje, mbathi sandalet e tua, mos e mbulo mjekrën dhe mos ha bukë pikëllimi.”

18 Në mëngjes i kisha folur popullit e në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes bëra si më kishte qenë urdhëruar. 19 Populli më pyeti: “Pse nuk na tregon çka do të thotë kjo që po bën?”

20 Unë iu përgjigja: “Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 21 Thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyjit: Ja, unë do ta përdhunoj Shenjtëroren time, mburrjen tuaj të madhe, kënaqësinë e syve tuaj, dëshirën e shpirtit tuaj. Bijtë tuaj e bijat që i keni lënë do të bien prej shpatës. 22 Bëni sikurse bëra unë: mos e mbuloni gojën me rubë e mos e hani bukën e vajtorëve, 23 lidhni çallmet rreth kresë, mbathni sandalet në këmbë, mos u pikëlloni as mos qani, por cijzni për shkak të fajeve tuaja e secili njëri pas tjetrit le të dënesë. 24 Ezekieli le t’ju mbetet shenjë: bëni gjithçka siç bëri ai kur do të ndodhë kjo e do ta dini se unë jam Zoti Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi Lp 32, 18-19.20.21 (fq. 255)

 

Ref. Fali, o Atë, mëkatet e bijëve të tu.

 

18 E ke lënë Qetën që të lindi,

harrove Krijuesin tënd!

19 E pa Zoti dhe i përbuzi,

sepse e ngacmoi bami i vet.

 

Ref. Fali, o Atë, mëkatet e bijëve të tu.

 

20 “Fytyrën tha do ta fsheh prej tyre,

do të shikoj se ç’fund do të kenë!

Vërtet janë pjellë shumë e keqe,

bij, në të cilët besë nuk ka.

 

Ref. Fali, o Atë, mëkatet e bijëve të tu.

 

21 Më ngacmuan me zota të rrejshëm,

më hidhëruan me idhuj të kotë.

Do t’i ngacmoj dhe vetë me ‘një popull,

që s’është popull askund, fare.

 

Ref. Fali, o Atë, mëkatet e bijëve të tu.

 

Aleluja!

Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiellore. (Mt 5, 3)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 19, 16-22) (fq. 1410)

 

Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, e ke për të pasur visar në qiell.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 16 iu afrua Jezusit një njeri dhe e pyeti: “Mësues, çfarë të mire më duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” 17 Ai iu përgjigj: “Përse më pyet për të mirën? Sepse vetëm Njëri është i mirë! Por, nëse do të hysh në jetë, zbatoji urdhërimet!” 18 “E cilat? pyeti ai.

Jezusi i tha: “Mos vrit! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos bëj dëshmi të rrejshme! 19 Ndero babanë e nënën tënde! Dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten 20 Djaloshi i tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar. Çka më mungon tjetër?” 21 Jezusi iu përgjigj: “Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljua skamnorëve e ke për të pasur visar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua!”

22 Por, kur djaloshi e dëgjoi këtë fjalë, shkoi i trishtuar, sepse kishte pasuri të mëdha.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, këto dhurata, me të cilat bëhet shndërrim i mrekullueshëm; e ndërsa ne të kushtojmë atë që Ti na dhurove, bëj të meritojmë të të marrim ty në zemrat tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 129, 7

 

Te Zoti është mëshira, dhe i madh është tek ai shëlbimi.

 

Ose: Gjn 6, 51-52

 

Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, thotë Zoti: kush ha këtë bukë, do të jetojë në amshim.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, me këto sakramente jemi bashkuar me Krishtin; me përvujtëri po kërkojmë mirësinë tënde, na bëj të ngjashëm me të mbi tokë dhe bashkëtrashëgimtarë në lumturinë e tij në qiell. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.