Leximet e ditës
JAVA E XX GJATË VITIT
E MËRKURË
Antifona e hyrjes Ps 83, 10-11
Shiko, o Hyj, mbrojtësi ynë, shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd. Vërtet, më e mirë është një ditë në shtëpinë tënde se një mijë të tjera.
Kolekta
O Hyj, Ti u ke përgatitur të mira të padukshme atyre që të duan: ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, të fitojmë prej teje trashëgimin e premtuar, që tejkalon çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 34, 1-11) (fq. 1185)
Grigjën time do ta kërkoj prej duarve të tyre, më s’do t’i lejoj t’i kullotin dhentë e mia.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit 2 ”Biri i njeriut, profetizo kundër barinjve të Izraelit, profetizo! Thuaju barinjve: Kështu thotë Zoti Hyj: Mjerë barinjtë e Izraelit, që kullotin vetveten! Vallë, a nuk e kanë për detyrë barinjtë t’i kullotin grigjat? 3 Ju ushqeheni me qumësht, visheni me lesh, pritni berret e majme e grigjën nuk e kullotni! 4 Të ligshtën nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni, të ndarën nuk e ktheni, të treturën nuk e kërkoni, por zotëroni mbi to me dhunë! 5 Kështu u shpërndanë delet e mia, sepse s’kishin bari. U bënë preja e të gjitha egërsirave të fushës dhe u shpërndanë. 6 Enden delet e mia gjithkund maleve e kodrave të larta, grigjat e mia u shpërndanë gjithkah mbi sipërfaqen e dheut e askush s’është në kujdes, askush nuk i kërkon!
7 Prandaj, dëgjojeni, o barinj, fjalën e Zotit: 8 Pasha jetën time, thotë Zoti Hyj: pasi grigja ime u bë pre dhe delet e mia ushqim i të gjitha egërsirave të fushës për faj të bariut dhe pse barinjtë e mi nuk e kërkuan grigjën time, por barinjtë kullotnin vetveten e nuk e kullotnin grigjën time, 9 prandaj, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit! 10 Kështu thotë Zoti Hyjit: Ja, unë vetë po vij kundër barinjve! Grigjën time do ta kërkoj prej duarve të tyre, më s’do t’i lejoj t’i kullotin dhentë e mia, kështu barinjtë më s’do ta kullotin vetveten, por do t’i heq delet e mia nga goja e tyre e më nuk do të bëhen ushqimi i tyre! 11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.
Fjala e Zotit
Psalmi 23 (22), 1-3a.3b-4.5.6 (fq. 681/2)
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
1 Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
2 Nëpër fusha të gjelbra, Ai me jep pushim
më prin në ujëra të qeta,
3 shpirtin ma përtërin.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim..
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
Aleluja!
Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese; përshkon aq sa ndanë frymën dhe shpirtin. (Heb 4, 12)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 20, 1-16) (fq. 1411/2)
Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. 2 E, si u godit me punëtorët me nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 3 Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në shesh 4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ 5 Shkuan edhe ata.
Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. 6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ 7 Ata iu përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’
8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën ‑ fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ 9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar.
10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. 11 Duke e marrë ankoheshin në zotin e shtëpisë12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin dhe vapën e ditës.’ 13 E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u godite me mua për nga një denar? 14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! 15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’
16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, këto dhurata, me të cilat bëhet shndërrim i mrekullueshëm; e ndërsa ne të kushtojmë atë që Ti na dhurove, bëj të meritojmë të të marrim ty në zemrat tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 129, 7
Te Zoti është mëshira, dhe i madh është tek ai shëlbimi.
Ose: Gjn 6, 51-52
Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, thotë Zoti: kush ha këtë bukë, do të jetojë në amshim.
Lutja pas kungimit
O Zot, me këto sakramente jemi bashkuar me Krishtin; me përvujtëri po kërkojmë mirësinë tënde, na bëj të ngjashëm me të mbi tokë dhe bashkëtrashëgimtarë në lumturinë e tij në qiell. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.