Leximet e ditës
JAVA E XX GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Ps 83, 10-11
Shiko, o Hyj, mbrojtësi ynë, shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd. Vërtet, më e mirë është një ditë në shtëpinë tënde se një mijë të tjera.
Kolekta
O Hyj, Ti u ke përgatitur të mira të padukshme atyre që të duan: ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, të fitojmë prej teje trashëgimin e premtuar, që tejkalon çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 36, 23-28) (fq. 1188)
Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti: 23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.
24 Do t’ju heq prej paganëve e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’ju sjell në vendin tuaj. 25 Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! 26 Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi.
27 Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i shtini në veprim gjyqet e mia. 28 Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyjit juaj.
Fjala e Zotit
Psalmi 51 (50), 12-13.14-15.18-19 (fq. 714/5)
Ref. Do ju stërpik me ujë të pastër thotë Zoti, dhe do ju pastroj.
12 Krijoje në mua, o Hyji, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
13 Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ref. Do ju stërpik me ujë të pastër thotë Zoti, dhe do ju pastroj.
14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
15 E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit
e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ref. Do ju stërpik me ujë të pastër thotë Zoti, dhe do ju pastroj.
18 Sepse ti nuk kënaqesh në fli,
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
19 Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!
Ref. Do ju stërpik me ujë të pastër thotë Zoti, dhe do ju pastroj.
Aleluja!
Dëgjojeni sot zërin e Atij që flet: mos e bëni zemrën tuaj gur siç bënin etërit tuaj. (krh. Ps 95 (94), 8)
Aleluja!
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Ungjilli (Mt 22, 1-14) forma e shkurtër (Mt 22, 1-10) (fq. 1414/5)
Këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra, (kryepriftërinjve dhe farisenjve.) Thoshte: 2 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me Mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. 3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majme! Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ 5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë.
7 Për këtë punë Mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’
10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar. (11 Atëherë hyri edhe Mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?” Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë Mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”)
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, këto dhurata, me të cilat bëhet shndërrim i mrekullueshëm; e ndërsa ne të kushtojmë atë që Ti na dhurove, bëj të meritojmë të të marrim ty në zemrat tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 129, 7
Te Zoti është mëshira, dhe i madh është tek ai shëlbimi.
Ose: Gjn 6, 51-52
Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, thotë Zoti: kush ha këtë bukë, do të jetojë në amshim.
Lutja pas kungimit
O Zot, me këto sakramente jemi bashkuar me Krishtin; me përvujtëri po kërkojmë mirësinë tënde, na bëj të ngjashëm me të mbi tokë dhe bashkëtrashëgimtarë në lumturinë e tij në qiell. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.