Leximet e ditës
JAVA E XX GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Ps 83, 10-11
Shiko, o Hyj, mbrojtësi ynë, shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd. Vërtet, më e mirë është një ditë në shtëpinë tënde se një mijë të tjera.
Kolekta
O Hyj, Ti u ke përgatitur të mira të padukshme atyre që të duan: ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, të fitojmë prej teje trashëgimin e premtuar, që tejkalon çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 37, 1-14) (fq. 1188/9)
O eshtra të thata, dëgjojeni fjalën e Zotit! Do t’ju ringjall prej varreve tuaja, o populli im.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
1 Mbi mua ra dora e Zotit dhe Zoti me shpirtin e vetë, më çoi e më vendosi në mes të një fushe që ishte plot me eshtra. 2 Ai më bëri t’i përshkoj në të gjitha drejtimet: mbi sipërfaqen e tokës ishin pa masë shumë e tejet të thata.
3 Atëherë më pyeti: “Biri i njeriut, a të thotë mendja se këto eshtra mund ta rifitojnë jetën?” Unë përgjigja: “Ti e di, o Zot Hyj!” 4 Atëherë më urdhëroi: “Profetizo mbi këto eshtra e thuaju: O eshtra të thata, dëgjojeni fjalën e Zotit! 5 Kështu u thotë Zoti Hyj këtyre eshtrave: Unë po e fus në ju shpirtin e ju do ta rifitoni jetën. 6 Do të end mbi ju dejtë, do t’ju vesh me mish, do t’ju mbuloj me lëkurë, do t’ju fus shpirtin e ju do ta rifitoni jetën dhe do ta dini se unë jam Zoti.” 7 Unë profetizova ashtu si më qe urdhëruar. Derisa unë po profetizoja, dëgjova një ushtimë dhe pashë një lëvizje eshtrash: iu afruan njëri-tjetrit, secili asht ashtit përgjegjës. 8 Shikova dhe, ja, i gërshetuan dejtë, u veshën me mish dhe me lëkurë, por ende nuk kishin shpirt.
9 Prapë më tha: “Profetizoji shpirtit! Profetizo, biri i njeriut, e i thuaji shpirtit: Kështu thotë Zoti Hyj: Eja, o shpirt, nga të katër anët e botës e fryj mbi këta të vdekur që ta rifitojnë jetën!” 10 Unë profetizova sikurse më kishte urdhëruar dhe në ta hyri shpirti. Ata e rifituan jetën dhe qëndruan në këmbë të veta një ushtri të madhe, tejet e madhe!
11 Atëherë më tha: “Biri i njeriut, këta eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ata thonë: ‘Eshtrat tona u thanë, s’kemi më kurrfarë shprese, kemi mbaruar!’ 12 Prandaj profetizo e thuaju. Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. 13 Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! 14 Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj thotë Zoti Hyj.”
Fjala e Zotit
Psalmi 107 (106), 2-3.4-5.6-7.8-9 (fq. 784)
Ref. Falënderojeni Zotin, dashuria e tij është e përjetshme.
2 Le të thonë të shpërblyerit prej Zotit,
që i çliroi nga kthetrat e armikut
3 dhe i bashkoi nga vendet e ndryshme
nga ku lind dielli e ku perëndon,
nga veriu e nga ana e detit.
Ref. Falënderojeni Zotin, dashuria e tij është e përjetshme.
4 U endën në shkretëtirë, në vend të thatë,
nuk e gjetën udhën drejt qytetit të banimit.
5 Të uritur e të etur
shpirti i tyre ishte mekur në ta!
Ref. Falënderojeni Zotin, dashuria e tij është e përjetshme.
6 Të ngushtuar i lëshuan kushtrimin Zotit
dhe Ai i shpëtoi nga vështirësitë e tyre.
7 Ai i qiti në udhën e drejtë
që të shkonin në qytetin e banimit.
Ref. Falënderojeni Zotin, dashuria e tij është e përjetshme.
8 Le t’ia dinë për nder Zotit për dashurinë e tij,
për mrekullitë që u bëri bijve të njerëzve,
9 që ngiu shpirtin e të eturit,
e mbushi me të mira shpirtin e të uriturit.
Ref. Falënderojeni Zotin, dashuria e tij është e përjetshme.
Aleluja!
M’i mëso, o Zot, shtigjet e tua, më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso. (Ps 25 (24), 4b.5a)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 22, 34-40) (fq. 1415)
Duaje Zotin, Hyjin tënd, dhe të afërmin tënd po si vetveten.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 34 Farisenjtë, kur morën vesh se Jezusi ua mbylli gojën Saducenjve, u bashkuan 35 dhe njëri sish mësues Ligji, për ta vënë në provë, e pyeti: 36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
37 “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. 39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, këto dhurata, me të cilat bëhet shndërrim i mrekullueshëm; e ndërsa ne të kushtojmë atë që Ti na dhurove, bëj të meritojmë të të marrim ty në zemrat tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 129, 7
Te Zoti është mëshira, dhe i madh është tek ai shëlbimi.
Ose: Gjn 6, 51-52
Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, thotë Zoti: kush ha këtë bukë, do të jetojë në amshim.
Lutja pas kungimit
O Zot, me këto sakramente jemi bashkuar me Krishtin; me përvujtëri po kërkojmë mirësinë tënde, na bëj të ngjashëm me të mbi tokë dhe bashkëtrashëgimtarë në lumturinë e tij në qiell. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.