Leximet e ditës

JAVA E XX GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Ps 83, 10-11

 

Shiko, o Hyj, mbrojtësi ynë, shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd. Vërtet, më e mirë është një ditë në shtëpinë tënde se një mijë të tjera.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti u ke përgatitur të mira të padukshme atyre që të duan: ndikoje në zemrat tona dashurinë tënde, që, duke të dashur ty në gjithçka dhe mbi gjithçka, të fitojmë prej teje trashëgimin e premtuar, që tejkalon çdo dëshirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 43, 1-7ab) (fq. 1196)

 

Lavdia e Zotit hyri në Tempull.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

Atëherë 1 Engjëlli më çoi te dera që shikonte në drejtim të lindjes. 2 Dhe, ja, Lavdia e Zotit të Izraelit po vinte nga Lindja. Ushtima e saj porsi ushtima e ujërave të mëdha: toka shkëlqente nga madhëria e tij!

3 Unë atëherë pata një vegim të ngjashëm me vegimin që pata kur erdhi për ta shkatërruar qytetin, vegimi ishte sipas dukjes së vegimit që e pata në brigjet e lumit Kobar. Atëherë rashë me fytyrë përdhe. 4 Lavdia e Zotit hyri në Tempull nëpër derën që shikonte në lindje.

5 Atëherë shpirti më ngriti e më futi brenda në oborrin e brendshëm. Ja, mbarë Tempulli ishte mbushur me Lavdinë e Zotit. 6 Atëherë dëgjova një zë, dikush më fliste prej Tempullit, e një njeri qëndronte në këmbë pranë meje. 7 Më tha: »Biri i njeriut, ky është vendi i fronit tim, vendi i gjurmëve të këmbëve të mia. Këtu do të banoj në mes të bijve të Izraelit për amshim. Shtëpia e Izraelit më nuk do ta përdhosë Emrin tim të shenjtë, as ata as mbretërit e tyre me fëlligështitë e tyre e me kufoma të mbretërve të vet në vdekjet e tyre.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 85 (84), 9ab.10.11-12.13-14 (fq. 755)

 

Ref. Qoftë bekuar njeriu që e druan Zotin.

 

9 Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.

10 Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

 

Ref. Qoftë bekuar njeriu që e druan Zotin.

 

11 Dashuria dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

12 E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

 

Ref. Qoftë bekuar njeriu që e druan Zotin.

 

13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

14 Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

 

Ref. Qoftë bekuar njeriu që e druan Zotin.

 

Aleluja!

Keni vetëm një Atë - atë që është në qiell! Keni vetëm një Udhëheqës - Krishtin! (Mt 23, 9b.10b)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 23, 1-12) (fq. 1416)

 

Flasin e nuk veprojnë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë , 1 Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: 2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të mbaren dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

5 Mandej të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë flakëritë e veta dhe i zgjasin thakët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës sepse keni vetëm një Udhëheqës Krishtin!

11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, këto dhurata, me të cilat bëhet shndërrim i mrekullueshëm; e ndërsa ne të kushtojmë atë që Ti na dhurove, bëj të meritojmë të të marrim ty në zemrat tona. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 129, 7

 

Te Zoti është mëshira, dhe i madh është tek ai shëlbimi.

 

Ose: Gjn 6, 51-52

 

Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli, thotë Zoti: kush ha këtë bukë, do të jetojë në amshim.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, me këto sakramente jemi bashkuar me Krishtin; me përvujtëri po kërkojmë mirësinë tënde, na bëj të ngjashëm me të mbi tokë dhe bashkëtrashëgimtarë në lumturinë e tij në qiell. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.