Leximet e ditës
JAVA E XXI GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 1-3
Ma vër veshin, o Zot dhe më dëgjo. Shpëtoje, o Hyj, shërbëtorin tënd, që shpreson në ty. Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti i bashkon zemrat e besimtarëve të tu: bëj që populli yt të dojë çka Ti urdhëron e të dëshirojë çka Ti premton, kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 22, 19-23) (fq. 997)
Mbi shpatullën e tij do ta vë çelësin e shtëpisë së Davidit.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu i thotë Zoti Sebnës: 19 Do të të heq prej vendit tënd, do të të shkarkoj prej detyrës sate. 20 Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë, Eliakimin, birin e Helcisë, 21 do t’ia vesh unë petkun tënd, do ta ngjesh me brezin tënd, do t’ia dorëzoj pushtetin tënd. Do të jetë baba për banorë të Jerusalemit e për shtëpinë e Judës. 22 Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë. 23 Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie i shtëpisë së babait të tij.
Fjala e Zotit
Psalmi 138, 1-2.2-3.6.8 (fq. 818)
Ref. Dashuria jote është për amshim, o Zot.
1 Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
2 adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
Ref. Dashuria jote është për amshim, o Zot.
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
3 Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
Ref. Dashuria jote është për amshim, o Zot.
6 Sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët
e prej së largu i dallon krenarët.
8 E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
Ref. Dashuria jote është për amshim, o Zot.
Leximi i dytë (Rom 11, 33-36) (fq. 1602)
Gjithçka është prej Tij, nëpër Të dhe për Të.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
33 O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija! 34 E njëmend, ‘kush e njohi mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? 35 Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i kthehet?’ 36 Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!
Fjala e Zotit
Aleluja!
Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! (Mt 16, 18)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 16, 13-20) (fq. 1406)
Ti je Pjetër e ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, 13 “kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” 14 Ata përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”
15 “Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?” 16 I përgjigji Simon Pjetri: “Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!” 17 Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! 19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” 20 Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
O Zot, me anën e flisë së vetme të Krishtit Ti fitove për vete një shumicë bijsh e bijash në shpirt: jepja, po të lutemi, Kishës sate, dhuratën e bashkimit e të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 103, 13-15
Toka, o Zot, ngihet me frytet e duarve të tua, për të nxjerrë prej saj bukën dhe verën që gëzon zemrën e njeriut.
Ose: Gjn 6, 54
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim ka jetën e pasosur dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, në mëshirën tënde na i shëro plotësisht zemrat tona, dhe na përtërij e na ruaj në dashurinë tënde, që të mund të të pëlqejmë ty në çdo gjë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.