Leximet e ditës

24 gusht

 

SHËN BARTOLOMEU APOSTULL

 

Festë

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 95, 2-3

 

Shpallni ditë për ditë shpëtimin e Hyjit, kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Forcoje në ne, o Zot, fenë, me të cilën shën Bartolomeu apostull e pranoi me zemër të çiltër Birin tënd, e bëj që, me ndërmjetësinë e tij, Kisha jote të jetë për të gjithë popujt sakrament shpëtimi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Zb 21, 9b-14) (fq. 1754)

 

Mbi themelet e mureve janë emrat e apostujve të Qengjit!

 

Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull

 

9 Njëri nga shtatë engjëjt më tha: »Eja, do ta tregoj nusën, Gruan e Qengjit!«

10 Engjëlli më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! 11 Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor.

12 Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.

13 Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer.

14 Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 145 (144), 10-11.12-13.17-18 (fq. 825)

 

Ref. Shenjtërit e tu, o Zot, le ta shpallin lavdinë e mbretërisë sate.

 

10 Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

11 Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

 

Ref. Shenjtërit e tu, o Zot, le ta shpallin lavdinë e mbretërisë sate

 

12 Për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde

dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

13 Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme,

pushteti yt prej breznie në brezni.

 

Ref. Shenjtërit e tu, o Zot, le ta shpallin lavdinë e mbretërisë sate

 

17 I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta

dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

18 Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

 

Ref. Shenjtërit e tu, o Zot, le ta shpallin lavdinë e mbretërisë sate

 

Aleluja!

Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit! (Gjn 1, 49)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 1, 45-51) (fq. 1506)

 

Qe një izraelas të vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, 45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.” 46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli. “Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të: “Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

 48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli. Jezusi iu përgjigj: “Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha: “Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

 50 Jezusi iu përgjigj: “Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi: “Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, në festën e shën Bartolomeut apostull, po të lutemi që me ndërmjetësinë e tij, në nder të të cilit po ta kushtojmë këtë fli lavdi, t’i fitojmë ndihmat e tua. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI I APOSTUJVE – I

Apostujt barinjtë e popullit të Hyjit

 

64. Ky prefacion thuhet në Meshët e apostujve, veçanërisht të shën Pjetrit dhe shën Palit.

 

M Zoti qoftë me ju.

P Dhe me shpirtin tënd.

M T’i lartësojmë zemrat.

P I kemi te Zoti.

M Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,

por me anën e apostujve të shenjtë

e ruan dhe e mbron vazhdimisht,

që të udhëhiqet nga ata

të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë

porsi barinj në emrin e tij.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,

me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,

po këndojmë himnin e lavdisë sate,

duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Lk 22, 29-30

 

Po jua lë trashëgim Mbretërinë ashtu si ma dha mua Ati im: që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, o Zot, që pengu i shpëtimit të amshueshëm që kemi marrë në kremtimin e festës së shën Bartolomeut apostull, të na forcojë tani e gjithmonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

25 gusht

 

Shën Ludoviku

 

Përbashkorja për shenjtër: për një shenjt (fq. 799).

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 20, 2-3

 

I drejti gëzohet, o Zot, në saje të fuqisë sate, plot hare e mbush shpëtimi yt; ia plotësove dëshirën e zemrës së tij

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e kalove shën Ludovikun mbret nga mbretëria tokësore në lumturinë e mbretërisë qiellore; bëj që, me ndërmjetësinë e tij, të veprojmë për ardhjen e mbretërisë sate duke i plotësuar detyrat tona të përkohshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Lutja mbi dhurata

 

Në saje të kësaj flie që po paraqesim në kremtimin e shën Ludovikut mbret, jepu, o Zot, besimtarëve të tu dhuratën e paqes e të bashkimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Mt 16, 24

 

Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Sakramenti i kungimit të shenjtë, o Zot, që morëm në përkujtimin e shën Ludovikut mbret, i shenjtëroftë shpirtrat e zemrat tona, që të meritojmë të bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.