Leximet e ditës

JAVA E XXI GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 1-3

 

Ma vër veshin, o Zot dhe më dëgjo. Shpëtoje, o Hyj, shërbëtorin tënd, që shpreson në ty. Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i bashkon zemrat e besimtarëve të tu: bëj që populli yt të dojë çka Ti urdhëron e të dëshirojë çka Ti premton, kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Sel 2, 1-3a.13-17) (fq. 1671)

 

Jini të qëndrueshëm dhe mbani porositë që i morët.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

 

1 Në lidhje me Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, 2 mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjale ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thua se ja, arriti Dita e Zotit! 3 Mos lejoni t’ju gënjejë kush në asnjë mënyrë!

13 Kurse neve na duhet t’i falënderohemi gjithmonë Hyjin për ju, vëllezër të dashur prej Zotit, sepse Hyji ju zgjodhi që prej fillimit për shëlbim që fitohet me anë të veprës shenjtëruese të Shpirtit Shenjt dhe të fesë së vërtetë, 14 në të cilën ju grishi me anë të Ungjillit tonë që ta fitoni lumturinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.

15 Prandaj, o vëllezër, jini të qëndrueshëm dhe mbani porositë që i morët prej nesh qoftë me anë të fjalës qoftë me anë të Letrës sonë. 6 Dhe vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume, 17 Ai i ngushëlloftë zemrat tuaja dhe i forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 96 (95), 10.11-12.13 (fq. 768)

 

Ref. Eja, o Zot, për ta gjykuar tokën.

 

10 Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti”!

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;

i gjykon popujt me drejtësi.

 

Ref. Eja, o Zot, sepse në ty galdojnë krijesat e tua.

 

11 Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!

Le të buçasë deti me ç’ka në të,

12 le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të.

 

Ref. Eja, o Zot, sepse në ty galdojnë krijesat e tua.

 

Le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve

13 Para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen,

sepse po vjen për të gjykuar tokën!

Do ta gjykojë botën me drejtësi,

do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e vet.

 

Ref. Eja, o Zot, sepse në ty galdojnë krijesat e tua.

 

 

Aleluja!

Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese; përshkon aq sa ndanë frymën dhe shpirtin. (Heb 4, 12)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 23, 23-26) (fq. 1416/7)

 

Çka është më e madhe: dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi foli e tha: 23 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. 24 Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini deven!

25 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e lakmi! 26 Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, me anën e flisë së vetme të Krishtit Ti fitove për vete një shumicë bijsh e bijash në shpirt: jepja, po të lutemi, Kishës sate, dhuratën e bashkimit e të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 103, 13-15

 

Toka, o Zot, ngihet me frytet e duarve të tua, për të nxjerrë prej saj bukën dhe verën që gëzon zemrën e njeriut.

 

Ose: Gjn 6, 54

 

Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim ka jetën e pasosur dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, në mëshirën tënde na i shëro plotësisht zemrat tona, dhe na përtërij e na ruaj në dashurinë tënde, që të mund të të pëlqejmë ty në çdo gjë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.