Leximet e ditës

JAVA E XXI GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 1-3

 

Ma vër veshin, o Zot dhe më dëgjo. Shpëtoje, o Hyj, shërbëtorin tënd, që shpreson në ty. Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i bashkon zemrat e besimtarëve të tu: bëj që populli yt të dojë çka Ti urdhëron e të dëshirojë çka Ti premton, kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Sel 3, 6-10.16-18) (fq. 1667)

 

Kush nuk do të punojë, as mos të hajë.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit drejtuar Selanikasve

 

6 Juve, o vëllezër, ju urdhërojmë në Emër të Jezu Krishtit Zot, të rrini larg nga çdo vëlla që jeton në përtaci, jo sipas porosisë që morët prej nesh.

7 Sepse ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: 8 bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë. 9 Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull që të na përngjani. 10 Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë.

16 Dhe vetë Zoti që jep paqen, gjithmonë dhe në çdo mënyrë jua dhëntë paqen. Zoti qoftë me ju të gjithë!

17 Përshëndetje me dorën time të Palit. Kështu shënoj çdo letër: unë kështu shkruaj. 18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju të gjithë!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 128 (127), 1-2.4-5 (fq. 810)

 

Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.

 

1 Lum njeriu që e druan Zotin,

që ecën udhëve të tija!

2 Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua,

i lumi ti, mirë do të kalosh!

 

Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.

 

4 Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin!

5 Të bekoftë Zoti prej Sionit

e pafsh lumturinë e Jerusalemit

në të gjitha ditët e jetës sate

 

Ref. Lum njeriu që e druan Zotin.

 

Aleluja!

Ai që e mban fjalën e Jezu Krishtit, në të është vërtetisht e përsosur dashuria e Hyjit. (krh. 1 Gjn 2, 5a)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 23, 27-32) (fq. 1417)

 

Ju jeni bijtë e atyre që vranë profetët.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi foli e tha: 27 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhuara me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. 28 Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi.

29 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u ndërtoni profetëve varrezat e u stolisni të drejtëve monumentet 30 dhe thoni: ‘Të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve.’ 31 Kështu ju vetë dëshmoni kundër vetvetes se jeni bijtë e atyre që vranë profetët. 32 Mirë, pra, kryeni ç’filluan etërit tuaj!

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, me anën e flisë së vetme të Krishtit Ti fitove për vete një shumicë bijsh e bijash në shpirt: jepja, po të lutemi, Kishës sate, dhuratën e bashkimit e të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 103, 13-15

 

Toka, o Zot, ngihet me frytet e duarve të tua, për të nxjerrë prej saj bukën dhe verën që gëzon zemrën e njeriut.

 

Ose: Gjn 6, 54

 

Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim ka jetën e pasosur dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, në mëshirën tënde na i shëro plotësisht zemrat tona, dhe na përtërij e na ruaj në dashurinë tënde, që të mund të të pëlqejmë ty në çdo gjë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.