Leximet e ditës
JAVA E XXI GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 1-3
Ma vër veshin, o Zot dhe më dëgjo. Shpëtoje, o Hyj, shërbëtorin tënd, që shpreson në ty. Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Kolekta
O Hyj, Ti i bashkon zemrat e besimtarëve të tu: bëj që populli yt të dojë çka Ti urdhëron e të dëshirojë çka Ti premton, kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Kor 1, 1-9) (fq. 1608)
Në Krishtin Jezus u bëmë të pasur me çdo dhuratë.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
1 Pali, për vullnet të Hyjit, i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni, 2 Kishës së Hyjit që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të grishurve të jenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe Zotit tonë. 3 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht!
4 Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, 5 sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka në çdo fjalë e në çdo dije. 6 Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, 7sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
8 Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit. 9 Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Fjala e Zotit
Psalmi 145 (144), 2-3.4-5.6-7 (fq. 825)
Ref. Çdo ditë do të të bekoj Emrin tënd, o Zot.
2 Çdo ditë do të të bekoj
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.
3 Zoti është i madh e i lavdërueshëm,
e pashqyrtueshme është madhëria e tij!
Ref. Ti, o Zot, je i madh, ty të qoftë lavdia në amshim.
4 Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua
dhe do ta shpallin pushtetin tënd.
5 Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate,
do t’i tregojnë mrekullitë e tua.
Ref. Ti, o Zot, je i madh, ty të qoftë lavdia në amshim.
6 Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme,
do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.
7 Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe,
do t’i brohorisin drejtësisë sate.
Ref. Ti, o Zot, je i madh, ty të qoftë lavdia në amshim.
Aleluja!
“Rrini zgjuar, rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni. (Mt 24, 42a.44)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 24, 42-51) (fq. 1419)
Rrini gati.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 42 prandaj: “rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! 43 E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. 44 Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.”
45 Vallë, cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, që zotëria e vuri përmbi shërbëtorët e vet për t’iu dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 I lumi ai shërbëtor, që, kur të vijë zotëria, e gjen duke vepruar kështu! 47 Më të vërtetë po ju them: do t’ia besojë mbarë pasurinë e vet!
48 Por në qoftë se shërbëtori i keq thotë në zemrën e vet: ‘zotëria im vonon të vijë’ 49 e fillon t’i rrahë shokët e vet e të hajë e të pijë me pijaneca; 50 zotëria i këtij shërbëtori do të vijë shi atë ditë, kur ky s’e pret, shi në atë orë, kur ky s’e di; 51 do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’ia caktojë vendin me shtiracakët, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Zot, me anën e flisë së vetme të Krishtit Ti fitove për vete një shumicë bijsh e bijash në shpirt: jepja, po të lutemi, Kishës sate, dhuratën e bashkimit e të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 103, 13-15
Toka, o Zot, ngihet me frytet e duarve të tua, për të nxjerrë prej saj bukën dhe verën që gëzon zemrën e njeriut.
Ose: Gjn 6, 54
Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim ka jetën e pasosur dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, thotë Zoti.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi, o Zot, në mëshirën tënde na i shëro plotësisht zemrat tona, dhe na përtërij e na ruaj në dashurinë tënde, që të mund të të pëlqejmë ty në çdo gjë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.