Leximet e ditës

JAVA E XXI GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 1-3

 

Ma vër veshin, o Zot dhe më dëgjo. Shpëtoje, o Hyj, shërbëtorin tënd, që shpreson në ty. Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i bashkon zemrat e besimtarëve të tu: bëj që populli yt të dojë çka Ti urdhëron e të dëshirojë çka Ti premton, kështu që në të mira e të vështira të jetës tokësore, zemrat tona të jenë të drejtuara atje, ku gjenden gëzimet e vërteta. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Kor 1, 17-25) (fq. 1609)

 

Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për judenjtë por për të shëlbuarit, fuqinë e Hyjit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 17 Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.

18 E njëmend, predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit. 19 Sepse është në Shkrimin e shenjtë: ‘Do ta asgjësoj dijen e të dijshëmve, do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.’

20 Ku është i dijshmi? Ku është mësuesi i Ligjit? Ku është shqyrtuesi i kësaj bote? Pse, a nuk e bëri Hyji marri urtinë e botës? 21 Për të vërtetë, pasi bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin me anë të dijes së zbuluar prej Hyjit, i pëlqeu Hyjit, me marrinë e predikimit t’i shëlbojë besimtarët.

22 E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, 23 ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar për hebrenj shkandull e për paganë marri, 24 kurse për të grishurit si për hebrenj si për grekë Krishtin fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. 25 Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 33 (32), 1-2.4-5.10-11 (fq. 692)

 

Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.

 

1 Galdoni, o të drejtë në Zotin,

të drejtëve u ka hije lavdërimi!

2 Lavdërojeni Zotin me kitarë,

bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

 

Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.

 

4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit

e të gjitha veprat e tija me besë.

5 E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

 

Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.

 

10 Zoti i shpartallon synimet e popujve,

i pështjellon qëllimet e kombeve.

11 Synimi i Zotit qëndron për amshim,

mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.

 

Ref. Plot është toka me mirësinë e Zotit.

 

Aleluja!

Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment, që të mund të qëndroni para Birit të Njeriut. (Lk 21, 36)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 25, 1-13) (fq. 1419)

 

Ja, dhëndëri! Dilni përpara!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tregoj nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin të marra e pesë të mençura. 3 Tashti, këto të marrat, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. 5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë të marrat u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, me anën e flisë së vetme të Krishtit Ti fitove për vete një shumicë bijsh e bijash në shpirt: jepja, po të lutemi, Kishës sate, dhuratën e bashkimit e të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 103, 13-15

 

Toka, o Zot, ngihet me frytet e duarve të tua, për të nxjerrë prej saj bukën dhe verën që gëzon zemrën e njeriut.

 

Ose: Gjn 6, 54

 

Kush ha Trupin tim dhe pi Gjakun tim ka jetën e pasosur dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

 

Po të lutemi, o Zot, në mëshirën tënde na i shëro plotësisht zemrat tona, dhe na përtërij e na ruaj në dashurinë tënde, që të mund të të pëlqejmë ty në çdo gjë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.