Leximet e ditës
29 gusht
Martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit
Përkujtim
Antifona e hyrjes Krh. Ps 118, 46-47
Para mbretërve, o Zot, do të flas për dëshmitë e tua, e nuk do të më vijë turp, do të kënaqem në urdhërimet e tua, që aq shumë i kam për zemër.
Kolekta
O Hyj, Ti deshe që shën Gjon Pagëzuesi të jetë Pararendësi i Birit tënd në lindje e në vdekje; bëj që, sikurse ai e dha jetën e vet për drejtësinë e të vërtetën, edhe ne të dimë t’ia kushtojmë vetveten me guxim dëshmimit të mësimit tënd. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jer 1, 17-19) (fq. 1053)
Thuaju të gjitha që unë po të urdhëroj.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Në ato ditë mu drejtua fjala e Zotit, 17 ngjeshi ijët e tua! Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha që unë po të urdhëroj. Aspak mos u tremb para tyre, përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre! 18
Ja, unë sot ty po të bëj qytet të fortifikuar, shtyllë hekuri, mur tumbaku përballë të gjithë vendit, përballë mbretërve të Judës e princave të tij, priftërinjve të tij e popullit të vendit.
19 Ata do të luftojnë kundër teje, por s’do të ngadhënjejnë mbi ty, sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj, thotë Zoti.”
Fjala e Zotit
Psalmi 71 (70), 1-2.3-4a.5-6ab.15ab.17 (fq. 736)
Ref. Goja ime, o Zot, do të shpallë shëlbimin tënd.
1 Në ndore tënde, o Zot,
askurrë mos u turpërofsha.
2 Më shpëto e më dil zot, pashë drejtësinë tënde,
prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
Ref. Goja ime, o Zot, do të shpallë shëlbimin tënd.
3 Ji për mua shkëmb mbrojtjeje,
kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,
sepse ti je kështjella ime e strehimi im.
4 Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit.
Ref. Goja ime, o Zot, do të shpallë shëlbimin tënd.
5 Sepse ti, o Zot, je shpresa ime,
uzdaja ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.
6 Në ty jam mbështetur qysh prej kraharorit të nënës,
qysh prej prehrit të nënës ti je mbrojtësi im,
Ref. Goja ime, o Zot, do të shpallë shëlbimin tënd.
15 Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde,
gjithë ditën shpëtimin tënd.
17 Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime
dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.
Ref. Goja ime, o Zot, do të shpallë shëlbimin tënd.
Aleluja!
Lum ata që salvohet për shkak të dashurisë për të vërtetën, sepse e tyre është Mbretëria qiellore. (krh. Mt 5, 10)
Aleluja!
Ungjilli (Mk 6, 17-29) (fq. 1437)
Dua të ma japësh tani në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, 17 vetë Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, të ngujohej në pranga e të burgosej. Shkaku ishte Herodiada, gruaja e Filipit, të vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua. 18 E pasi Gjoni i kishte thënë Herodit: “S’guxon ta mbash gruan e vëllait tënd!”, 19 Herodiada e urrente dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 sepse Herodi e druante Gjonin. E dinte mirë se është njeri i drejtë e i shenjtë e prandaj edhe e mbronte. Kur e dëgjonte, trazohej fort në shpirt, por prapëseprapë e dëgjonte me ëndje.
21 Por erdhi dita e volitshme, kur Herodi, me rastin e ditëlindjes së vet, u përgatiti një gosti bujarëve të vet, oficerëve të lartë dhe krerëve të Galilesë. 22 Hyri vajza e Herodiadës e kërceu. I pëlqeu shumë Herodit dhe të grishurve. Atëherë mbreti i tha vajzës. “Lyp prej meje çka të duash dhe unë do ta jap.” 23 Dhe iu përbetua: “Do të jap gjithçka të më lypësh, qoftë edhe gjysmën e mbretërisë sime!” 24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çka të kërkoj? “Kryet e Gjon Pagëzuesit!” ‑ i tha ajo. 25 Vajza u kthye vrik te mbreti e i tha: “Dua të ma japësh tani në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit. 26 Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të grishurve, nuk deshi t’ia mohojë kërkesën.
27 Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t’ia sjellë kryet e Gjonit. Ky shkoi, ia shkurtoi kryet në burg, 28 e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s’ëmës.
29 Kur dëgjuan nxënësit e Gjonit, erdhën, morën trupin e tij dhe e shtinë në dhe.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, po të lutemi, o Zot, që në saje të këtyre dhuratave që po t’i kushtojmë, të ecim udhës së vërtetë që shën Gjoni e predikoi në shkretëtirë dhe e përforcoi me derdhjen e gjakut. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Prefacioni: Misioni i Pararendësit.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,
nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ne lavdërojmë madhërinë tënde
për më të madhin ndër ata që u lindën prej grash,
shën Gjonin Pagëzues, Pararendës.
Edhe para se të lindte, ai kërceu prej gëzimit
se po vinte shpëtimi i njerëzve
dhe në lindjen e vet solli gëzime të mëdha.
Ishte i vetmi ndër profetët që e tregoi Qengjin e shëlbimit.
Në ujërat që do të shenjtëroheshin
ai e pagëzoi themeluesin e Pagëzimit;
dhe me derdhjen e gjakut të vet i dha Krishtit më të lartën dëshmi.
Dhe prandaj, bashkë me fuqitë qiellore,
po të shpallim vazhdimisht mbi tokë
duke i brohoritur madhërisë sate pa pushim:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Gjn 3, 27.30
Gjoni u përgjigj: Ai duhet të rritet, e unë të zvogëlohem.
Lutja pas kungimit
Bëj, o Zot, që ne, të cilët kremtojmë ditëlindjen për qiell të shën Gjon Pagëzuesit ta nderojmë misterin që kjo gosti shënon dhe ta sprovojmë më fort veprimtarinë e saj në ne. Nëpër Krishtin Zotin tonë.