Leximet e ditës

JAVA E XXII GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jer 20, 7-9) (fq. 1079)

 

Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

 

7 Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove. U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin. 8 Sa herë që më duhet ta shpall fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!” Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën! 9 Atëherë thashë me vete: më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas! Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, i ndryrë në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 63 (62), 2.3-4.5-6.8-9 (fq. 726)

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

2 O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë,

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

3 Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

4 Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:

buzët e mia do të të lavdërojnë.

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

5 Kështu do të të bekoj në jetën time

e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

6 do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

8 Sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

9 Shpirti im u mbështet në ty,

e djathta jote më mbanë.

 

Ref. Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

 

Leximi i dytë (Rom 12, 1-2) (fq. 1602)

 

Kushtoni trupin tuaj fli të gjallë.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

1 Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit porsi kultin tuaj shpirtëror. 2 Mos iu përshtatni më parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit t’ju japë Shpirtin e dijes që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja jonë. (krh. Ef 1, 17-18)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 16, 21-27) (fq. 1407)

 

Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohoj vetveten.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 21 Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallej.

22 Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë!”

23 Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djallë! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

24 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! 25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.

26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? 27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Kjo fli e shenjtë, o Zot, na e dhashtë gjithherë bekimin shpëtimtar, që atë çka sakramenti shënon, ta kryejë fuqia e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 30, 20

 

Oh sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që Ti e ruan për ata që të druajnë.

 

Ose: Mt 5, 9-10

 

Lum ata që bëjnë paqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që janë të përndjekur për drejtësi, sepse e atyre është mbretëria e qiellit.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me bukën e tryezës qiellore, po të lutemi, o Zot, që ky ushqim i dashurisë t’i forcojë zemrat tona, dhe të na nxisë të të shërbejmë ty në vëllezërit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.