Leximet e ditës

JAVA E XVIII GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Ps 69, 2.6

 

O Hyj, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh. Ti je ndihmëtari e shpëtimtari im: o Zot, mos vono.

 

Kolekta

 

O Zot, qëndro me ne, shërbëtorët e tu dhe na trego mirësinë tënde të përjetshme, e pasi mburremi se je krijuesi dhe sunduesi ynë, përtërij në ne çka ty të pëlqen, e çka të përtërish bëje të qëndrueshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Nah 2, 1.2a.3; 3, 1-3.6-7) (fq. 1278/9)

 

Vaj për qytetin gjakësor.

 

Lexim prej Librit të Nahumit profet

 

1 Ja mbi male këmbët e lajmëtarit, të atij që paqen kumton.

Kremtoji, Judë, festat e tua, kushtoji kushtet e tua. Sepse askurrë më s’do të vazhdojë të përshkohet n’për ty Beliali! Mbaroi shqimi! 2 Kundër teje po vjen shpartalluesi!

3 Sepse Zoti po ia kthen nderin Jakobit si madhërinë e Izraelit! Njëmend plaçkitësit e kishin plaçkitur, këputur ua kishin shermendet!

3, 1 Vaj për ty, qytet gjakësor, plot me rrena, plot rrëmbime! Prej teje s’do të zhduket preja!

2 Fërshëllejnë frushkujt, rropatin rrotat, turfullojnë kalorësit, 3 shkëlqejnë shpatat, ndriçojnë heshtat, shumicë të vrarësh, grumbuj të vdekurish: të panumërta kufomat, nëpër to haset në thua! 6 Do të të mbulojë turp e marre, do të të çnderoj, për poshtërsi do të bëhesh erëmadhe (shembull). 7 E do të ndodhë: Kushdo të të shikojë do të mbesë shtang edhe do të thotë: “U rrënua Niniva! A do të ketë kush dhimbje për ty? Ku ta lyp ngushëlluesin tënd?”

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi Lp 32, 35cd-36ab.39abcd.41(fq. 256)

 

Ref. Na shpëto, o Zot, dhe na e jep jetën.

 

35 Nuk është larg dita e shfarosjes,

fati i tyre vrap po afrohet!

36 T’drejtë do t’i japë popullit t’vet Zoti,

përdëllim shërbëtorëve t’vet.

 

Ref. Na shpëto, o Zot, dhe na e jep jetën.

 

39 E shihni tash se jam i Vetmi,

unë jam Zot e tjetër s’ka!

Unë vras e unë kthej në jetë;

unë godas e unë shëroj.

 

Ref. Na shpëto, o Zot, dhe na e jep jetën.

 

41 Kur ta mpreh shpatë rrufenë

e t’vendosem të bëj gjyq:

do t’u hakmerrem armiqve t’mi

e atyre që më urrejnë.

 

Ref. Na shpëto, o Zot, dhe na e jep jetën.

 

Aleluja!

Lum ata që salvohen për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria qiellore. (krh. Mt 5, 10)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 16, 24-28) (fq. 1407)

 

Çka mund të jep njeriu në vend të shpirtit të vet?

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 24 Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! 25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.

26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet?

27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

28 Përnjëmend po ju them: disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa mos ta shohin Birin e njeriut duke ardhur me Mbretërinë e vet.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Shenjtëroji, po të lutemi, o Zot, këto dhurata, pranoji si fli shpirtërore të shërbesës sonë dhe bëj që ne vetë të bëhemi fli e amshuar për ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ur 16, 20

 

Na e dhe, o Zot, bukën qiellore, që ka në vete çdo ëmbëlsirë dhe është e pëlqyeshme për çdo shije.

 

Ose: Gjn 6, 35

 

Unë jam buka e jetës, thotë Zoti. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.

 

Lutja pas kungimit

 

Pasi, o Zot, na përtërin me dhurata qiellore, na shoqëro gjithmonë me mbrojtjen tënde dhe pasi nuk na mungon kurrë dashuria jote, na bëj të denjë për shëlbimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.