Leximet e ditës

JAVA E XXII GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

 

Leximi i parë (1 Kor 3, 1-9) (1610)

 

Ne punojmë së bashku në punën e Hyjit ndërsa ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 1 nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi rënësve tokësorë, porsi foshnjave në Krishtin. 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t’i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje, 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrë të njeriut thjesht lëndor?

4 Sepse, kur ndonjëri thotë: “Unë jam i Palit” e një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë? 5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha:

6 Unë mbolla, Apoli ujiti, por Hyji bëri që të rritet. 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që ujit, por Hyji që bën të rritet. 8 Ai që mbjell e ai që ujit janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin. 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 33 (32), 12-13.14-15.20-21 (692)

 

Ref. Lum ai popull që Zoti e zgjodhi për pronë.

 

12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin,

populli që Zoti e zgjodhi për pronë.

13 Zoti shikon nga qielli

e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.

 

Ref. Lum ai popull që Zoti e zgjodhi për pronë.

 

14 Prej vendit të vet të shenjtë

i shqyrton të gjithë banorët e tokës,

15 ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat

e i kupton të gjitha veprat e tyre.

 

Ref. Lum ai popull që Zoti e zgjodhi për pronë.

 

20 Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

21 Zemra jonë në të e ka shpresën,

shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.

Ref. Lum ai popull që Zoti e zgjodhi për pronë.

 

Aleluja!

Zoti më dërgoi t'u kumtoj të vobektëve Ungjillin dhe t'u shpall robërve çlirimin. (Lk 4, 18)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 4, 38-44) (1465/6)

 

Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 8 Jezusi si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.

42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 43 Ai u tha: “Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.” 44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Kjo fli e shenjtë, o Zot, na e dhashtë gjithherë bekimin shpëtimtar, që atë çka sakramenti shënon, ta kryejë fuqia e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 30, 20

 

Oh sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që Ti e ruan për ata që të druajnë.

 

Ose: Mt 5, 9-10

 

Lum ata që bëjnë paqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që janë të përndjekur për drejtësi, sepse e atyre është mbretëria e qiellit.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me bukën e tryezës qiellore, po të lutemi, o Zot, që ky ushqim i dashurisë t’i forcojë zemrat tona, dhe të na nxisë të të shërbejmë ty në vëllezërit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.