Leximet e ditës

JAVA E XXII GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

 

Leximi i parë (1 Kor 3, 18-23) (1611)

 

Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejuar Korintanëve

 

Vëllezër, 8 askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. 19 Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’ 20 dhe përsëri: ‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve, e di se janë të kota.’

21 Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhshmja! Gjithçka është juaja, 23 ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 24 (23), 1bc-2.3-4ab.5-6 (fq. 682)

 

Ref. E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka.

 

1 E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,

rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

2 Ai vetë e themeloi mbi dete,

dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Ref. E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka.

 

3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit

e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,

ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi.

 

Ref. E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka.

 

5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,

shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,

e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

Ref. E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka.

 

Aleluja!

Ejani mbas meje, thotë Zoti, e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish! (Mt 4, 19)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 5, 1-11) (1466)

 

Ata lanë gjithçka e shkuan pas tij.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 1 Jezusi derisa ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave në atë që ishte e Simonit dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.

4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit: “Grahi në ujë të thellë e qitni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” 5 Simoni i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i qes rrjetat.” 6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.

8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” 9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tash e tutje do të zësh njerëz.” 11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Kjo fli e shenjtë, o Zot, na e dhashtë gjithherë bekimin shpëtimtar, që atë çka sakramenti shënon, ta kryejë fuqia e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 30, 20

 

Oh sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që Ti e ruan për ata që të druajnë.

 

Ose: Mt 5, 9-10

 

Lum ata që bëjnë paqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që janë të përndjekur për drejtësi, sepse e atyre është mbretëria e qiellit.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me bukën e tryezës qiellore, po të lutemi, o Zot, që ky ushqim i dashurisë t’i forcojë zemrat tona, dhe të na nxisë të të shërbejmë ty në vëllezërit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.