Leximet e ditës

JAVA E XXII GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 85, 3.5

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse gjithë ditën të thërras në ndihmë. Ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.

 

Kolekta

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, prej teje vjen çdo e mirë: ndikoje në zemrat tona dashurinë ndaj emrit tënd, që në ne të zhvillohet e mira dhe, nën ndikimin tënd, të arrijmë përsosmërinë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Kor 4, 1-5) (fq. 1611)

 

Zoti i zbulon synimet e zemrave.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 1 gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit. 2 Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik. 3 Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfarëdo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten. 4 Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti.

5 Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 37 (36), 3-4.5-6.27-28.39-40 (fq.697)

 

Ref. Shëlbimi i të drejtëve vjen prej Zotit.

 

3 Shpreso në Zotin e bëj mirë:

kështu do të banosh Tokën e premtuar

e do të jetosh në paqe.

4 Vëre gëzimin tënd në Zotin

e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

 

Ref. Shëlbimi i të drejtëve vjen prej Zotit.

 

5 Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd,

shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.

6 Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote,

e drejta jote porsi mesdita.

 

Ref. Shëlbimi i të drejtëve vjen prej Zotit.

 

27 Hiqu së keqes e bëj të mirën

dhe do të kesh gjithmonë një banesë,

28 sepse Zoti e do të drejtën

dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.

 

Ref. Shëlbimi i të drejtëve vjen prej Zotit.

 

39 Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit,

ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.

40 Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan,

do t’i lirojë prej bakëqijve

sepse shpresuan në të.

 

Ref. Shëlbimi i të drejtëve vjen prej Zotit.

 

Aleluja!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës. (Gjn 8, 12)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 5, 33-39) (1467/8)

 

Kur t’ua rrëmbejnë dhëndrin, në ato ditë do të agjërojnë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, skribët dhe farisenjtë i thanë Jezusit: 3 “Nxënësit e Gjonit agjërojnë shpesh dhe luten, po ashtu edhe ata të farisenjve - përkundrazi, të tutë hanë e pinë.”

34 Jezusi u përgjigj: “A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë derisa dhëndri është me ta? 35 Tash vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin, atëherë, në ato ditë do të agjërojnë.”

36 U tregoi edhe krahasimin: “Askush nuk e pret një copë prej petkut të ri për t’ia vënë petkut të vjetër, përndryshe shqyen petkun e ri, kurse copa prej petkut të ri nuk përkon me petkun e vjetër. 37 Askush nuk e shtien verën e re në rrëshiqa të vjetër, sepse vera e re i pëlcet rrëshiqat kështu që edhe vera derdhet edhe rrëshiqat prishen: 38 por vera e re duhet të qitet në rrëshiqa të rinj. 39 Askush, duke pirë verë të vjetër, s’i lakmon verës së re, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Kjo fli e shenjtë, o Zot, na e dhashtë gjithherë bekimin shpëtimtar, që atë çka sakramenti shënon, ta kryejë fuqia e tij. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 30, 20

 

Oh sa e madhe është mirësia jote, o Zot, që Ti e ruan për ata që të druajnë.

 

Ose: Mt 5, 9-10

 

Lum ata që bëjnë paqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Lum ata që janë të përndjekur për drejtësi, sepse e atyre është mbretëria e qiellit.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me bukën e tryezës qiellore, po të lutemi, o Zot, që ky ushqim i dashurisë t’i forcojë zemrat tona, dhe të na nxisë të të shërbejmë ty në vëllezërit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.