Leximet e ditës

5 shtator

 

Shën Tereza e Kalkutës, rregulltare

 

Festë

 

Antifona e hyrjes Krh. Mt 25, 34.36.40

 

Ejani të bekuarit e Atit tim, thotë Zoti; isha i sëmurë e erdhët të më shihni. Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua (K.P. aleluja).

 

Ose: Ps 111, 9

 

Është dorëdhënë, u fal skamnorëve; drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve, balli i tij ngallit për nder (K.P. aleluja).

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e thirre Shën Nënë Terezën e Kalkutës virgjër, t’i përgjigjej dashurisë së Birit tënd të etur në kryq me një dashuri të thellë për më të varfrit ndër të varfër; bëj po të lutemi, që me ndërmjetësinë e saj, t’i shërbejmë Krishtit në vëllezërit tanë që vuajnë. Ai me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Is 58, 6-11) (fq. 1040)

 

Ndaje bukën tënde me të uriturin.

 

Lexim prej librit të Isaisë profet

 

Kështu thotë Zoti,vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha: t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë? A jo tà ndash bukën tënde me të uriturin, t’i pranosh në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë?

Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: »Këtu jam!«

Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, 10 nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita. 11 E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata. Ai do t’i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s’i mungojnë ujërat.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 34 (33), 2-3.4-5.6-7 (fq. 693)

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

2 Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë lavdi i tij.

3 Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

4 Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,

le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.

5 E kërkova Zotin e ai më dëgjoi

edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

6 Shikojeni atë e do të ndriçoheni

fytyra juaj nuk do të turpërohet.

7 Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi

dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.

 

Ref. Përherë do ta bekoj Zotin.

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që ua zbulove të vegjëlve misteret e mbretërisë. (krh. Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 25, 31-40) (fq. 1420)

 

Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Jezusi u tha nxënësve të vet: 31 » kur të vij Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Zot, ne të shpallim të mrekullueshëm në shën Nënë Terezës së Kalkutës virgjër: po të lutemi me përvujtëri që, sikurse të pëlqyen meritat e saj, të të pëlqejë edhe shërbesa e flisë sonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

PREFACIONI PËR SHENJTËRESHA VIRGJRA DHE PËR SHENJTËR RREGULLTARË

Vështrimi i jetës së kushtuar Hyjit

 

71. Ky prefacion thuhet në të kremte dhe festa të shenjtëreshave virgjra dhe të shenjtërve rregulltarë. Mund të thuhet edhe në përkujtimet e tyre.

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Sepse në Shën Nënë Terezën që iu kushtua Krishtit

për shkak të Mbretërisë qiellore,

ne kremtojmë provaninë tënde të mrekullueshme,

me të cilën njeriun e grish në shenjtërinë e parë

dhe bën që ai, qysh tani, t’i shijojë dhuratat

që do t’i gëzojë në botën e re.

Dhe prandaj, bashkë me shenjtërit dhe me të gjithë engjëjt,

të lavdërojmë duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Krh. Mt 25, 6

 

Ja, po vjen Dhëndri: i dilni në takim Krishtit, Zot (K.P. aleluja).

 

Ose: Krh. Ps 26, 4

 

Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë ia kërkoj:

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime (K.P. aleluja).

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me dhuratën hyjnore, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, që, sipas shembullit të Shën Nënë Terezës së Kalkutës, ta mbartim në trupin tonë të vdekshëm mundimin e Krishtit dhe me gjithë shpirt të qëndrojmë përherë me ty. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Ose:

 

Lutja pas kungimit

 

Kungimi i shenjtë me Korpin e me Gjakun e Birit tënd, o Zot, na shmangtë nga gjërat e kalueshme të kësaj toke, që, sipas shembullit të Shën Nënë Terezës së Kalkutës, të mund të përparojmë në dashuri të çiltër ndaj teje mbi tokë, e ta gëzojmë pamjen tënde për amshim në qiell. Nëpër Krishtin Zotin tonë.