Leximet e ditës

JAVA E XXIII GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124

 

I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Ez 33, 1.7-9) (fq. 1183)

 

Nëse ti nuk i flet të patenzonit, do të kërkoj gjakun e tij prej dorës sate kur ai të vdes.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

 

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 7 Ty, o biri i njeriut, unë të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim.

8 Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë, do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. 9 Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 95 (94), 1-2.6-7.8-9 (fq. 768)

 

Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit.

 

1 Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohoritim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

2 T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

 

Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit.

 

6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

7 Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai ruan.

 

Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit.

 

8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ref. Dëgjojeni sot zërin e Zotit.

 

Leximi i dytë (Rom 13, 8-10) (fq. 1603/4)

 

Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 8 askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri‑tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar Ligjin. 9 Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vrit! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër ‑ është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i Ligjit.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetveten, duke na besuar fjalën e pajtimit. (2 Kor 5, 19)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 18, 15-20) (fq. 1409)

 

Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllanë tënd.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 15 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. 16 Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.

18 Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.

19 Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. 20 Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.”

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3

 

Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

Ose: Gjn 8, 12

 

Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.