Leximet e ditës
JAVA E XXIII GJATË VITIT
E HËNË
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (1 Kor 5, 1-8) (1612)
Pastrohuni prej tharmit të vjetër. Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ është flijuar.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 1 gjithkund po dëgjohet se ndër ju ka fëlligështi, madje një fëlligështi të tillë, që nuk gjendet as ndër paganë: njëri prej jush jeton si me gruan me gruan e babait të vet. 2 E ju më keni çuar krye! Pse më mirë nuk jeni veshur në zi? Le të çrrënjoset prej mesit tuaj ai që e bëri këtë poshtërsi!
3 Unë, larg me trup, por afër me shpirt, e kam dënuar, si të isha pranë, atë që e bëri një vepër të tillë. 4 Në Emër të Zotit (tonë) Jezus, pasi të bashkoheni ju dhe shpirti im me ju, me pushtetin e Zotit tonë Jezus, 5 i tilli le t’i lëshohet djallit në duar për prishjen e trupit që t’i shpëtojë shpirti në Ditën e Zotit.
6 Nuk ju vlen gjë krenaria! Po a nuk e dini se pak tharm e brumos mbarë brumin? 7 Pastrohuni prej tharmit të vjetër që të bëheni brumë i ri, sikurse edhe jeni të pabrumë, sepse Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë është flijuar. 8 Andaj, le të kremtojmë, jo me tharmin e vjetër, as me tharmin e zemrës së keqe e të ligësisë, por me bukë të pabrume të pastërtisë e të vërtetës.
Fjala e Zotit
Psalmi 5, 5-6.7.12 (fq. 662)
Ref. Me drejto, o Zot, në drejtësinë tënde.
5 Ti nuk je Hyj të cilit i pëlqen padrejtësia,
pranë teje nuk ka vend bakeqi,
6 bakëqijtë nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu.
Ref. Me drejto, o Zot, në drejtësinë tënde.
7 Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq,
i zhbin të gjithë ata që flasin gënjeshtra;
Të neverit gjakësori e tradhtari.
Ref. Me drejto, o Zot, në drejtësinë tënde.
12 Le të gëzohen ata që mbështeten në ty,
le të galdojnë përherë e në amshim!
Mbroji dhe le të gëzohen në ty
të gjithë ata që e duan Emrin tënd!
Ref. Me drejto, o Zot, në drejtësinë tënde.
Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim - thotë Zoti - Unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 6, 6-11) (fq. 1468)
Nuk ia ndanin sytë duke shikuar a mos po shëron të shtunën.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
6 Një të shtunë tjetër Jezusi hyri në sinagogë e filloi të mësojë. Ishte aty një njeri që kishte dorën e djathtë të thatë. 7 Skribët e farisenjtë nuk ia ndanin sytë a mos po shëron të shtunën, që, kështu, të kinin për çka ta paditnin.
8 Jezusi ua dinte mendimet e i tha njeriut që e kishte dorën e thatë: “Çohu e dil në midis!” Ai u ngrit e qëndroi në këmbë. 9 Atëherë Jezusi vazhdoi: “Ju po ju pyes: a është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq, t’ia shpëtosh jetën ndokujt apo t’ia humbasësh?” 10 Si i shikoi rreth e rrotull të gjithë, i tha atij: “Shtrije dorën! Ai bëri ashtu e dora iu shërua.
11 Ata u tërbuan dhe kuvendonin ndër vete çka të ndërmarrin kundër Jezusit.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
Ose: Gjn 8, 12
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
JAVA E XXIII GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
Kolekta
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
I
Leximi i parë (Kol 2, 6-15) (fq. 1662)
Të varrosur bashkë me Të, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, 6 sikurse e pranuat Jezu Krishtin Zot, ashtu edhe vazhdoni të jetoni në Të: 7 të rrënjosur, vazhdimisht të mbimuruar në të dhe të fortë në fe sikurse qetë mësuar, gjithherë përplot me falënderim. 8 Ruajuni të mos ju gënjejë kush me anë të “filozofisë” ‑ me stërhollime të kota, që bazohen në thashethemet njerëzore, në “elementet e botës” e jo në Krishtin.
9 Pasi në Krishtin banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore, kështu edhe ju jeni 10 të mbushur me anë të Tij. Ai është Kryet e çdo Principate e Pushteti. 11 Në të jeni edhe të rrethprerë, por me një rrethprerje që s’është bërë me dorë njeriu ‑ u zhveshët nga trupi i mëkatit ‑ me anë të rrethprerjes së Krishtit. 12 Të varrosur bashkë me Të në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit.
13 Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të. Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona, 14 Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq. 15 I çarmatosi Principatat dhe Pushtetet ‑ e dëftoi këtë botërisht ‑ dhe i hoq zvarrë në kalimin ngadhënjyes të Kryqit!
Fjala e Zotit
Psalmi 145 (144), 1b-2.8-9.10-11 (fq. 825)
Ref. Zoti është vetë butësia e mëshira.
1 Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.
2 Çdo ditë do të të bekoj
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.
Ref. Zoti është vetë butësia e mëshira.
8 Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
9 Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Ref. Zoti është vetë butësia e mëshira.
10 Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
11 Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd
Ref. Zoti është vetë butësia e mëshira.
II
Leximi i parë (1 Kor 6, 1-11) (fq. 1613)
Vëllai me vëlla paditet, madje para të pafeve.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 1 a do të guxojë ndokush prej jush, nëse ka ndonjë padi kundër ndonjë tjetri, të kërkojë të drejtën në gjyq para paganëve e jo para shenjtërve? 2 Po a nuk e dini se shenjtërit do ta gjykojnë botën? E, nëse ju do ta gjykoni botën, po a thua s’jeni të zotët t’i gjykoni sendet më të vogla? 3 Po a nuk e dini se do t’i gjykojmë edhe engjëjt e jo më gjërat e përditshme?
4 E ju, kur keni ndonjë pleqësi për gjërat e përditshme, shkoni e më vini pleq disa që Kisha i mban për asgjë? 5 Le t’ju vijë turp që më detyroni t’jua them këtë gjë! Kështu a? A thua nuk gjendet ndër ju asnjë i dijshëm, i cili do të mund të pleqëronte mes vëllezërve të vet? 6 Por vëllai me vëlla paditet, madje para të pafeve?!
7 Po edhe vetë puna që paditeni njëri me tjetrin është e metë për ju. Pse më mirë nuk e duroni padrejtësinë? Pse më mirë nuk duroni të plaçkiteni? 8 Por, përkundrazi, ju vetë bëni padrejtësi dhe plaçkitni, e kë se? Vëllezërit! 9 A thua nuk e dini se ata që bëjnë padrejtësi nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit?
Mos u tradhtoni! As fëlligështarët, as idhujtarët, as kurorëthyesit, as homoseksualët e çdo lloji, 10 as vjedhësit, as pijanecët, as shpërralluesit, as cubat nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit.
11 Pra, të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por e fituat shfajësimin në saje të Emrit të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë.
Fjala e Zotit
Psalmi 149 (148), 1b-2.3-4.5-6a.9b (fq. 829)
Ref. Zoti e do popullin e vet!
1 Këndoni Zotit një këngë të re,
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
2 Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet,
bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!
Ref. Zoti e do popullin e vet!
3 Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle,
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
4 sepse Zoti kënaqet në popullin e vet,
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Ref. Zoti e do popullin e vet!
5 Le të galdojnë të drejtët në lumturi,
le të brohorisin nga shtrojat e veta!
6 E paçin lavdinë e Zotit në gojë,
9 ‑ ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Ref. Zoti e do popullin e vet!
Aleluja!
Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju, thotë Zoti; Ati im do t'ju japë çkado që të kërkoni në emër tim. (krh. Gjn 15, 16b)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 6, 12-19) (fq. 1468)
E kaloi natën duke u lutur, pastaj i zgjodhi dymbëdhjetë nxënës të cilët i quajti apostuj!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit.13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre i zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
Ose: Gjn 8, 12
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.