Leximet e ditës
8 shtator
LINDJA E SHËN MARISË VIRGJËR
Festë
Antifona e hyrjes
Le ta kremtojmë me gëzim ditëlindjen e shën Marisë Virgjër: prej saj lindi Dielli i drejtësisë, Krishti, Hyji ynë.
Thuhet Lavdi
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
Na e jep, o Zot, dhuratën e hirit tënd, pasi amësia e shën Marisë qe për ne fillimi i shpëtimit, bëj që festa e ditëlindjes së saj të na sjellë paqen e vërtetë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Mik 5, 1-4a) (fq. 1272/3)
Prej teje, o Betlehem, do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin.
Lexim prej Librit të Mikesë profet
Kështu thotë Zoti: «1 E ti, o Betlehem ‑ Efratë, i vogël ndër bajraqet e Judës, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin. Zanafilla e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit.
2 Prandaj Hyji do t’i dorëzojë derisa të lindë ajo që ka për të lindur. Atëherë Teprica e vëllezërve të tij do të kthehet ndër bijtë e Izraelit. 3 Ai do të ngritet, do të udhëheqë me fuqinë e Zotit, me madhërinë e emrit të Zotit Hyjit të vet. Do të banojnë në qetësi, sepse Ai do të jetë i madh skaj më skaj të vendit: 4 e Ai ‑ ai vetë do të jetë paqja!»
Fjala e Zotit
Ose:
Leximi i parë (Rom 8, 28-30) (fq. 1598)
Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, 28 ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. 29 Sepse, ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. 30 Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.
Fjala e Zotit
Psalmi 13 (12), 4.6 (fq. 669)
Ref. Gëzohem plotësisht në ty, o Zot.
4 Shih e më ndihmo, o Zot, Hyji im!
Ndriti sytë e mi që të mos më kapë gjumi i vdekjes.
Ref. Gëzohem plotësisht në ty, o Zot.
6 Por unë jam i sigurt në dashurinë tënde,
lë të galdojë shpirti im në shpëtimin tënd!
Do t'i këndoj Zotit, Bamirësit tim!
Ref. Gëzohem plotësisht në ty, o Zot.
E lumja ti, o Virgjëra Mari, ti je e denjë për çdo lavdi: prej teje lindi Dielli i Drejtësisë, Krishti Zoti ynë.
Aleluja!
Kur përdoret forma e shkurtër teksti në kllapa nuk lexohet.
Ungjilli (Mt 1, 1-16. 18-23.) Forma e shkurtër (1, 18-23) (fq. 1383/4)
Foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
1 Breznitë e Jezu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.
(2 Abrahamit i lindi Izaku. Izakut i lindi Jakobi. Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. 3 Judës i lindi prej Tamarës Faresi dhe Zara. Faresit i lindi Esromi. Esromit i lindi Arami. 4 Aramit i lindi Aminadabi. Aminadabit i lindi Naasoni. Naasonit i lindi Salmoni. 5 Salmonit i lindi prej Rahabës Boozi. Boozit i lindi prej Rutës Jobedi. Jobedit i lindi Jeseu. 6 Jeseut i lindi Davidi mbret.
Davidit i lindi prej ish‑gruas së Urisë Salomoni. 7 Salomonit i lindi Roboami. Roboamit i lindi Abiai. Abiait i lindi Asafi. 8 Asafit i lindi Jozafati. Jozafatit i lindi Jorami. Joramit i lindi Ozia. 9 Ozisë i lindi Joatami. Joatamit i lindi Akazi. Akazit i lindi Ezekia. 10 Ezekisë i lindi Manaseu. Manaseut i lindi Amosi. Amosit i lindi Jozia. 11 Jozisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij në kohën e shpërnguljes në Babiloni.
12 Pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli. Salatielit i lindi Zorobabeli. 13 Zorobabelit i lindi Abiudi. Abiudit i lindi Eliakimi. Eliakimit i lindi Azori. 14 Azorit i lindi Sadoku. Sadokut i lindi Akimi. Akimit i lindi Eliudi. 15 Eliudit i lindi Eleazari. Eleazarit i lindi Matani. Matanit i lindi Jakobi. 16 Jakobit i lindi Jozefi, fati i Marisë, prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht. )
18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. 19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta publikonte çështjen, mendoi ta lëshojë fshehtazi.
20 Posa në mendje të vet vendosi të bëjë kështu, ja se iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija.”
22 E gjithë kjo ngjau që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpër profetin: 23 “Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑ që do të thotë: Hyji me ne!”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Na ndihmoftë, o Atë, natyra njerëzore e të Njëlindurit Birit tënd, i cili duke lindur nga Virgjëra, nuk e prishi virgjërinë e Nënës, por e shenjtëroi atë; Ai na pastroftë prej mëkateve që të të pëlqejë flia jonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
PREFACIONI I SHËN MARISË VIRGJËR – I
Amësia e Shën Marisë Virgjër
62. Ky prefacion thuhet në Meshët e Shën Marisë Virgjër, duke përmendur, në vendin e caktuar, shenjën e festës, si shënohet në çdo Meshë.
M. Zoti qoftë me ju.
P. Dhe me shpirtin tënd.
M. T’i lartësojmë zemrat.
P. I kemi te Zoti.
M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
P. Është punë e denjë dhe e drejtë.
Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,
është detyra jonë dhe burim shpëtimi
të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,
o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.
Dhe po të lavdërojmë, po të bekojmë dhe po të shpallim
në Ditëlindjen e shën Marisë përherë Virgjër.
Ajo, për virtyt të Shpirtit Shenjt,
ngjizi në kraharorin e vet të Njëlindurin Birin tënd,
dhe, pa e prishur nderin e virgjërisë,
ia fali botës dritën e amshuar,
Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde,
zotëruesit të adhurojnë dhe dridhen pushtetet.
Qiejt e fuqitë qiellore dhe serafinët e lumtur
bashkohen për të brohoritur me galdim.
Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,
ndërsa përvujtërisht po themi:
Shenjt, Shenjt, Shenjt.
Antifona e kungimit Is 7, 14; Mt 1, 21
Ja Virgjëra do të lindë një djalë i cili do ta shpëtojë popullin e vet prej mëkateve.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti e ke ushqyer Kishën tënde me misteret e shenjta; bëj të gëzojë në hare fatlume për ditëlindjen e shën Marisë Virgjër që i solli mbarë botës shpresën dhe agimin e shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.