Leximet e ditës

JAVA E XXIII GJATË VITIT

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124

 

I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.

 

Kolekta

 

O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Kor 7, 25-31) (fq. 1615)

 

Trajta e kësaj bote po kalon.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 25 lidhur me virgjëra nuk kam farë urdhri prej Zotit, por ju jap këshillë si një njeri i cili, në saje të mëshirës së Zotit, meriton t’i besohet. 26 Pra, mendimi im është se kjo gjendje është e mirë - për shkak të ngushticës së tanishme, mendoj se është mirë për njeriun që të qëndrojë ashtu.

27 Je i lidhur me grua? Mos kërko ndarje! Je i lirë nga gruaja? Mos kërko grua! 28 Po edhe nëse martohesh, nuk bën mëkat. Po edhe virgjëra, nëse martohet, nuk bën mëkat, por të tillët do të kenë vuajtje në trup, e unë dëshiroj t’ju kursej.

29 Ja, ç’dua të them, o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, 30 ata që qajnë, sikurse të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të vetën; 31 ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 45 (44), 11-12.14-15.16-17 (fq. 708)

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

11 Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:

harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,

12 nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote.

nderoje atë, Ai është zotëria yt.

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

14 E lavdishme është bija e mbretit,

e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.

15 Në petka lara-lara ia sjellin mbretit,

përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

16 Me hare u prijnë e me brohori,

ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!

17 Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët,

do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.

 

Ref. Në ty, o Zot, e vura gëzimin tim.

 

Aleluja!

Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblim i juaj në qiell. (krh. Lk 6, 23ab)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 6, 20-26) (fq. 1468/9)

 

Të lumët ju, o skamnorë, vaj për ju, o pasanikë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte:

“Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! 21 Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qesheni! 22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre, kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut! 23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell. Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

24 Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj! 25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qesheni, sepse do të vajtoni e do të qani!

26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3

 

Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.

 

Ose: Gjn 8, 12

 

Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.