Leximet e ditës
JAVA E XXIII GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
Kolekta
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
II
Leximi i parë (1 Kor 8, 1b-7.11-13) (fq. 1615/6)
Duke e plagosur ndërgjegjen e ligshtë të vëllezërve, mëkatoni kundër Krishtit!
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejuar Korintanëve
Vëllezër, 1 dija rrit mendjen, kurse dashuria ndërton. 2 Nëse ndokush mendon se di diçka, nuk di ende ashtu si duhet të dijë.
3 Por, nëse ndokush e do Hyjin, atë Hyji e pranon për të vetin.
4 Prandaj, lidhur me ngrënien e mishrave të flijuara idhujve, e dimë: idhulli nuk është asgjë në botë dhe nuk ka hyjni përveç një Hyji të vetëm. 5 Sepse, edhe pse ka të ashtuquajtura hyjni në qiell ose në tokë ‑ sikurse ka shumë “hyjni” e shumë “zotërinj” – 6 por, për ne s’ka veç një Hyj, Atin, prej të cilit është krijuar gjithçka e të cilit ne i përkasim; dhe një Zot të vetëm Jezu Krishtin, nëpër të cilin është gjithçka e ne jemi nëpër të.
7 Por këtë dije të mjaftueshme nuk e kanë të gjithë. Disa, duke kujtuar se është diçka idhulli, hanë mishin kinse fli të idhullit, e ndërgjegjja e tyre, prejse është e ligshtë, përlyhet.
11 Kështu në saje të dijes sate, sharron i ligshti ‑ vëllai ... për të cilin vdiq Krishti. 12 Në këtë mënyrë, pra, duke mëkatuar kundër vëllezërve e duke plagosur ndërgjegjen e tyre të ligshtë, mëkatoni kundër Krishtit. 13 Prandaj, nëse një ushqim e shkandullon vëllain tim, jo, unë nuk do të ha mish kurrë e për këtë jetë, që të mos e shkandulloj vëllain tim.
Fjala e Zotit
Psalmi 139 (138), 1b-3.13-14ab.23-24 (fq. 819)
Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së drejtë.
1 O Zot, ti më shqyrton e më njeh,
2 ti di kur rri e kur ngrihem,
prej së largu i njeh mendimet e mia.
3 Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia.
Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së drejtë.
13 Ti je ai që m’i krijove veshkat,
ti më ke endur në kraharorin e nënës!
14 Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht,
të mrekullueshme janë veprat e tua.
Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së drejtë.
23 Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time,
më sprovo e njihi shtigjet e mia
24 e shiko në mos ka në mua udhë kotësie
dhe më kthe në udhën e amshueshme.
Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së drejtë.
Aleluja!
Hyji është dashuri: nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer. (1Gjn 4, 12)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 6, 27-38) (fq. 1469)
Bëhuni të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 27 “Por po ju them juve që më dëgjoni: ‘Duani armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, 28 bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë’. 29 Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! 30 Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos kërko ta kthejë! 31 Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëni edhe ju atyre!
32 Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. 33 Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. 34 E në qoftë se u huajoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huajojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë. 35 Por ju duani armiqtë tuaj, bëni mirë e huajoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai është i mirë edhe për mosmirënjohës e të këqij. 36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”
37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetull tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
Ose: Gjn 8, 12
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.