Leximet e ditës
JAVA E XXIII GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
Kolekta
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
I
Leximi i parë (1 Tim 1, 1-2. 12-14) (fq. 1673/4)
Unë më parë isha blasfemues, por gjeta mëshirë.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus me urdhër të Hyjit, Shëlbuesit tonë dhe të Krishtit Jezus, shpresës sonë: 2 Timoteut, birit të vërtetë në fe: hir, mëshirë dhe paqe prej Hyjit Atë, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
12 E falënderoj Atë që më dha fuqi ‑ Krishtin Jezus, Zotin tonë ‑ pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë 13 mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. 14 Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus.
Fjala e Zotit
Psalmi 16 (15), 1b-2a.5.7-8.11 (fq. 671)
Ref. Ti, o Zot, je pjesa e trashëgimit tim.
1 Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
2 I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
5 Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota ime,
në dorën tënde është fati im!
Ref. Ti, o Zot, je pjesa e trashëgimit tim.
7 E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
8 Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Ref. Ti, o Zot, je pjesa e trashëgimit tim.
11 Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.
Ref. Ti, o Zot, je pjesa e trashëgimit tim.
II
Leximi i parë (1 Kor 9, 16-19. 22b-27) (fq. 1616/7)
U bëra skllavi i të gjithëve që të fitoj për fe sa më shumë njerëz.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, 16 të shpall Ungjillin, por është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! 17 Nëse e bëj këtë me nisiativën time, atëherë më takon paga, por, nëse jo prej nisiativës sime ‑ është detyrë që më është besuar. 18 Cila atëherë është shpërblimi im? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas, pa i përdorur të drejtat që m’i jep Ungjilli.
19 Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllav për të gjithë që të fitoj për fe sa më shumë njerëz. 22 U bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. 23 E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të. 24 Po a nuk e dini se ata që vrapojnë në fushë vrapimi, ndonëse të gjithë vrapojnë, vetëm njëri e fiton shpërblimin? Ashtu vraponi që të fitoni! 25 Të gjithë atletët i bëjnë vetes shtrëngime të mëdha; ata për të fituar kurorën e shkatërrueshme e ne kurorën që nuk shkatërrohet.
26 Unë, prandaj, ashtu vrapoj ‑ jo si pa qëllim, ashtu grushtoj ‑ jo si të gjuaja ajrin, 27 por e marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke u pasë predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vetë.
Fjala e Zotit
Psalmi 84 (83), 3.4.5-6.12 (fq. 754)
Ref. Lum ata që banojnë në shtëpinë e Zotit.
3 Shpirti im shkrihet e meket
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im
i brohoritin Hyjit të gjallë.
Ref. Lum ata që banojnë në shtëpinë e Zotit.
4 Edhe trumcaku e gjen bunin e vet
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive,
Mbreti im e Hyji im!
Ref. Lum ata që banojnë në shtëpinë e Zotit.
5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde:
do të të lavdërojnë për amshim.
6 Lum ai që në ty gjen forcën
dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
Ref. Lum ata që banojnë në shtëpinë e Zotit.
12 Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj,
ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat atyre
që jetojnë të pafajshëm.
Ref. Lum ata që banojnë në shtëpinë e Zotit.
Aleluja!
Fjala jote , o Zot, është e vërtetë: na shenjtëro në të vërtetën. (Gjn 17, 17b.a)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 6, 39-42) (fq. 1469)
A mund t'i prijë i verbri të verbrit?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 39 Jezusi u tha nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “A mund t’i prijë i verbëri të verbrit? A thua s’do të bien të dy në gropë? 40 Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet. 41 Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd?
42 Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishtën, që ke në sy, ti që nuk e sheh traun në syrin tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.”
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
Ose: Gjn 8, 12
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.