Leximet e ditës
JAVA E XXIII GJATË VITIT
E SHTUNË
Antifona e hyrjes Ps 118, 137.124
I drejtë je, o Zot, dhe gjykimet e tua janë të drejta: bëj me shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate.
Kolekta
O Atë, që na dhurove Shëlbuesin dhe Shpirtin Shenjt, shikoj me mirësi bijtë e adoptimit, që të gjithë ata që besojnë në Krishtin ta marrin lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
I
Leximi i parë (1 Tim 1, 15-17) (fq. 1674)
Jezusi erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, 15 kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. 16 Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua, më të parin, Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur.
17 Dhe Mbretit të shekujve, të Pavdekshmit, të Papashmit, Një të Vetmit Hyj i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen!
Fjala e Zotit
Psalmi 113 (112), 1b-2.3-4.5.6-7 (fq. 791)
Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, tani e përgjithmonë.
1 Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,
lavdërojeni, Emrin e Zotit!
2 Qoftë bekuar Emri i Zotit
Qysh tash e deri në amshim.
Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, tani e përgjithmonë.
3 Që kur lind dielli e derisa perëndon
qoftë bekuar Emri i Zotit!
4 I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt,
lavdia e tij i tejkalon qiejt.
Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, tani e përgjithmonë.
5 Kush është si Zoti, Hyji ynë,
që fronin e ka në Lartësi,
6 e nga lart vrojton qiellin e tokën?
7 Nga pluhuri e ngre skamnorin,
nga llomi e lartëson të vobektin
Ref. Qoftë bekuar emri i Zotit, tani e përgjithmonë.
II
Leximi i parë (1 Kor 10, 14-22) (fq. 1617/8)
Të gjithë ne që jemi pjesëtar të një buke jemi një trup i vetëm.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
14 Të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria! 15 Flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykoni vetë çka po them: 16 Gota e bekimit, të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? 17 Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke. 18 Shikoni Izraelin thjesht si popull: ata që hanë nga flitë a thua nuk janë pjesëmarrës të lterit?
19 Çka, pra, dua të them: se flija kushtuar idhullit është diçka? Ose idhulli është diçka?
20 Mu të kundërtën! Porse [paganët] u flijojnë djajve e jo Hyjit; e unë nuk dua të bëheni pjesëtarë të djajve.
21 Nuk dua ta pini gotën e Zotit dhe gotën e djajve. Nuk mund të jeni pjesëtarë të tryezës së Hyjit dhe të tryezës së djajve. 22 A mos mendojmë ta nxisim xhelozinë e Zotit? A mos jemi më të zotët se Ai?
Fjala e Zotit
Psalmi 116 (115), 12-13.17-18 (fq. 793)
Ref. Ty o Zot, do të ta kushtoj flinë e falënderimit.
12 Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
13 Do të ngre gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Ref. Ty o Zot, do të ta kushtoj flinë e falënderimit.
17 Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij
Ref. Ty o Zot, do të ta kushtoj flinë e falënderimit.
Aleluja!
Nëse ndokush më do, ai do ta mbajë fjalën, thotë Zoti, Ati im do ta duajë dhe tek ai do të vijmë. (Gjn 14, 23)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 6, 43-49) (fq. 1469/70)
Pse më thirrni: 'Zotëri, Zotëri', e nuk bëni si ju urdhëroj?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: "43 Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. 44 Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi as nuk vilet rrush nga ferra.
45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra.”
46 “Pse më thirrni: ‘Zotëri, Zotëri!’ e nuk bëni si ju urdhëroj? 47 Do t’ju tregoj se kujt i përngjan çdonjëri që vjen tek unë, që e dëgjon fjalën time e që e shtjen në veprim: 48 ai i përngjan njeriut, i cili, kur ndërtoi shtëpinë e vet, mihu dheun thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Ra vërshimi, lumi u vërsul mbi atë shtëpi, por nuk mundi ta tundë, sepse ishte e ndërtuar mirë.
49 Kurse ai që e dëgjon, por nuk e shtjen në veprim fjalën time, i përngjan njeriut, që e ndërtoi shtëpinë përmbi dhe ‑ pa themel: u vërsul lumi e menjëherë e rrëzoi: ajo shtëpi u bë gërmadhë e madhe.”
Lutja mbi dhurata
O Hyj, burimi i përkushtisë së vërtetë dhe i paqes, bëj që me kushtimin e kësaj dhurate të të adhurojmë si lypet, e pjesëmarrja në këtë sakrament të na bashkojë besnikërisht në ndjenja vëllazërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 41, 2-3
Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj; shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë.
Ose: Gjn 8, 12
Unë jam drita e botës, thotë Zoti; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti i ushqen dhe i mban në jetë besimtarët e tu me shujtën e fjalës sate dhe me sakramentin qiellor, bëj që me dhuratat e Birit tënd, të bëhen trashëgimtarë të përhershëm të jetës së tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.