Leximet e ditës

JAVA E XXIV GJATË VITIT

 

E DIEL

 

A

 

Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18

 

Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.

 

Thuhet Lavdi.

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Sir 27, 33-28, 9) (fq. 943)

 

Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen.

 

Lexim prej Librit të Siracidit

 

33 Hidhërimi dhe urrejtja njënjë janë të urrejtshme, të dyja në zemër i ndryen mëkatari. 28,Kush do të hakmerret, do të gjëjë hakmarrje prej Zotit e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh.  Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen.

 Njeriu mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim?! S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e lutet t’i falen mëkatet e tija?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?! Kush do të lutet për fajet e tija?! Të të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh; kujto shkatërrimin e vdekjen e mbaj urdhërimet. Kujtoji urdhërimet e mos iu hidhëro të afërmit! Kujto Besëlidhjen e të Lartit Zot e mos i jep rëndësi fyerjes që ta bën i afërmi.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 103 (102), 1-2.3-4.9-10.11-12 (fq. 775)

 

Ref. Zoti është i mirë e i madh në dashuri.

 

1 Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

2 Bekoje, shpirti im Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

 

Ref. Zoti është i mirë e i madh në dashuri.

 

3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

4 Ai ta shpëton jetën prej varrit,

ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

 

Ref. Zoti është i mirë e i madh në dashuri.

 

Nuk zemërohet gjithherë

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

10 Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona

as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

 

Ref. Zoti është i mirë e i madh në dashuri.

 

11 Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.

12 Sa është lindja larg perëndimit

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

 

Ref. Zoti është i mirë e i madh në dashuri.

 

Leximi i dytë (Rom 14, 7-9) (fq. 1604)

 

Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 

Vëllezër, 7 në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri nuk vdes për vete. 8 E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim jemi të Zotit.

 9 Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve.

 

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha juve. (Gjn 13, 34)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 18, 21-35) (fq. 1409/10)

 

Nuk po them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, 21 Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” 22 Jezusi i përgjigji: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!23

Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan Mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, ia sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta.

25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Edhe Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin. 28 Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e shtiu në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthej tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”

 

Fjala e Zotit

 

Thuhet Besoj.

 

Besoj në një Hyj të vetëm,

Atin e gjithëpushtetshëm,

krijuesin e qiellit e të tokës,

të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.

Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,

një të vetmin Birin e Hyjit,

të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,

Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,

nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt

prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.

U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,

pësoi dhe u varros

dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve

e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.

Dhe përsëri do të vijë me lavdi

për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,

e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit,

që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,

që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.

Pres ngjalljen e të vdekurve

dhe jetën e pasosur. Amen.

 

Lutja mbi dhurata

 

Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8

 

Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.

 

Ose: Krh. 1 Kor 10, 16

 

Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!

 

Lutja pas kungimit

 

E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.