Leximet e ditës

JAVA E XXIV GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18

 

Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.

 

Kolekta

 

O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Kor 12, 12-14.27-31a) (fq. 1620/1)

 

Ju jeni trupi i Krishtit dhe secili prej jush gjymtyrët e tija.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 12 sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë nuk trajtojnë por një trup të vetëm ashtu edhe Krishti. 13 Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt. 14 E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh.

27 Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tij. 28 Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndryshme.

29 A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? 30 A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë? 31Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 100 (99), 2.3.4.5 (fq. 772)

 

Ref. Ne jemi populli i Hyjit, delet të cilave Ai u prinë.

 

2 Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,

shërbeni Zotit me hare,

dilni para tij me brohoritje!

 

Ref. Ne jemi populli i Hyjit, delet të cilave Ai u prinë.

 

3 Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:

Ai na krijoi e atij i përkasim:

jemi populli i tij dhe delet e kullosës së tij.

 

Ref. Ne jemi populli i Hyjit, delet të cilave Ai u prinë.

 

4 Hyni nëpër dyert e tija duke i dhënë lavdi,

hyni në treme të tij e këndoni himne,

lavdërojeni e madhërojeni Emrin e tij!

 

Ref. Ne jemi populli i Hyjit, delet të cilave Ai u prinë.

 

5 Sepse i mirë është Zoti,

e amshuar dashuria e tij,

nga breznia në brezni besnikëria e tij.

 

Ref. Ne jemi populli i Hyjit, delet të cilave Ai u prinë.

 

Aleluja!

Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet! (Lk 7, 16b)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 7, 11-17) (fq. 1470)

 

Djalosh, ty po të them: çohu!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 11 Jezusi u nis për në qytetin që quhet Nain. Me të shkonin nxënësit e tij dhe turmë e madhe e popullit.

12 Kur iu afrua dyerve të qytetit, qe se po sillnin përjashta qytetit një të vdekur djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit. 13 Kur e pa Zotëria, pati dhimb për të dhe i tha: “Mos qaj” 14 U afrua, preku vigun ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha: “Djalosh, ty po të them: çohu!” 15 I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës. 16 Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë: “Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!” 17 Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap zëri për të.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8

 

Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.

 

Ose: Krh. 1 Kor 10, 16

 

Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!

 

Lutja pas kungimit

 

E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.