Leximet e ditës

JAVA E XXIV GJATË VITIT

 

E ENJTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18

 

Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.

 

Kolekta

 

O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Kor 15, 1-11) (fq. 1623)

 

Kështu predikojmë dhe kështu ju besuat.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

1 Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. 2 Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot.

3 Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi i shenjtë. 4 Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin e shenjtë. 5 Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve.

6 Pastaj u duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. 7 Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. 8 Më së fundi m’u dëftua edhe mua dështakut.

9 E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. 10 Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua.

11 Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 118 (117), 1b-2.16ab-17.28 (fq. 795)

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë.

 

1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

2 Le të thotë tashti Izraeli, Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë.

 

16 “E djathta e Zotit u madhërua!

E djathta e Zotit u lartësua!

17 S’do të vdes, të jetoj dua,

do t’i kumtoj veprat e Zotit!

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë.

 

28 Ti je Hyji im, ty të falënderoj,

Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

 

Ref. Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë.

 

Aleluja!

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do tu çlodh, thotë Zoti. (krh. Mt 11, 28)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 7, 36-50) (fq. 1471/2)

 

Iu falen mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 36 një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, 38 zuri vend pas tij, te këmbët e tija dhe, duke qarë, filloi me lot t’ia lajë këmbët, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.

39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”

40 Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Simon, dua diçka të të them.” “Fol, Mësues!” i përgjigji ai. 41 “Një huadhënës vazhdoi Jezusi kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë. 42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?” 43 Simoni iu përgjigj: “Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”

“Mirë pleqërove! i tha Jezusi.

44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit: “A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. 45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon të mi puth këmbët e mia.

46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. 47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.” 48 Atëherë i tha gruas: “Të janë falur mëkatet!” 49 Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!” 50 Por ai i tha gruas: “Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8

 

Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.

 

Ose: Krh. 1 Kor 10, 16

 

Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!

 

Lutja pas kungimit

 

E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.