Leximet e ditës

JAVA E XXIV GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18

 

Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.

 

Kolekta

 

O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Kor 15, 12-20) (fq. 1623)

 

Në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 12 në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish: si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve.”? 13 Po qe se të vdekurit nuk do të ngjallen atëherë as Krishti nuk është ngjallur. 14 Por, në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, [atëherë] i kotë është predikimi ynë i kotë besimi juaj.

15 Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rrejshëm kundër Hyjit, sepse kemi dëshmuar kundër Hyjit duke pohuar se Hyji e ngjalli Krishtin, të cilin nuk e ka ngjallur, në qoftë se të vdekurit nuk ngjallen. 16 Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur. 17 Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. 18 Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën.

19 E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët.

20 Por, vërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 17 (16), 1bcd.6-7.8b.15 (fq. 672)

 

Ref. Ma trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

1 Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë,

vështroje lutjen time,

Vëri vesh lutjes sime

që del nga buzët joshtiracake.

 

Ref. Ma trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

6 Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, e më vështro,

ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,

7 madhëroje mbi mua dashurinë tënde,

ti që i shpëton nga armiku

ata që shpresojnë në të djathtën tënde.

 

Ref. Ma trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

8 Më ruaj porsi beben e syrit,

më fsheh nën hijen e krahëve të tu,

15 E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde,

e një ditë, kur të zgjohem,

do të kënaqem me praninë tënde.

 

Ref. Ma  trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. (Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 8, 1-3) (fq. 1472)

 

E përcillnin disa gra që i ndihmonin me pasuritë e veta.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 1 Jezusi përshkonte qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit.

E përcillnin të Dymbëdhjetët 2 dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundje tjera: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, 3 Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta i ndihmonin Jezusit dhe nxënësve.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8

 

Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.

 

Ose: Krh. 1 Kor 10, 16

 

Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!

 

Lutja pas kungimit

 

E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.