Leximet e ditës

JAVA E XXIV GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18

 

Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.

 

Kolekta

 

O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (1 Kor 15, 35-37.42-49) (fq. 1624/5)

 

Mbillet në shkatërrueshmëri e ngjallet në pashkatërrueshmëri.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

 

Vëllezër, 35 ndokush do të pyesë: “Si ngjallen të vdekurit?” dhe: “Me çfarë trupi do të vijnë?” 36 I pamend! Çka ti mbjell, nuk e fiton jetën, po s’vdiq! 37 Dhe çka mbjell, nuk mbjell trupin e ardhshëm, por një kokërr të thjeshtë po e zëmë gruri apo të ndonjë fare tjetër. 42 Kështu edhe ngjallja e të vdekurve: mbillet në shkatërrueshmëri e ngjallet në pashkatërrueshmëri; 43 mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi; mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi; 44 mbillet trup lëndor e ngjallet trup shpirtëror.

Nëse ka trup lëndor, ka edhe trup shpirtëror. 45 Kështu është edhe shkruar: ‘Njeriu i parë, Adami u bë shpirt i gjallë, Adami i fundit Shpirti që jep jetën. 46 Por, nuk qe më parë qenia shpirtërore, por qenia lëndore e atëherë u bë qenia shpirtërore. 47 Njeriu i parë është nga toka, tokësor; njeriu i dytë nga qielli. 48 Si është njeriu tokësor, të tillë janë edhe tokësorët, si është njeriu qiellor, të tillë janë edhe qiellorët. 49 Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 56 (55), 10c-12.13-14 (fq. 719)

 

Ref. Do të galdoj para teje, o Zot, në dritën e të gjallëve.

 

10 Atëherë armiqtë e mi do të zmbrapsen

kur ta kërkoj ndihmën tënde,

sepse e di mirë se Hyji është me mua.

 

Ref. Do të galdoj para teje, o Zot, në dritën e të gjallëve.

 

11 I jap lavdi fjalës së Hyjit,

e madhëroj fjalën e Zotit.

12 Në Hyjin kam vënë shpresën, nuk do të trembem:

çka mund të më bëjë njeriu?

 

Ref. Do të galdoj para teje, o Zot, në dritën e të gjallëve.

 

13 Me ty, o Hyj, më lidhin kushtet e mia,

do të të kushtoj fli falënderjeje,

14 sepse ma ke shpëtuar jetën prej vdekjes,

këmbët e mia prej rrëzimit.

 

Ref. Do të galdoj para teje, o Zot, në dritën e të gjallëve.

 

Aleluja!

Lum ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri. (krh. Lk 8, 15)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 8, 4-15) (fq. 1472)

 

Ato ‘në tokë të mirë’, janë ata që e dëgjojnë Fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 4 si u tubua turmë e madhe e popullit, që erdhën nga qytete të ndryshme tek Jezusi, ai foli në shëmbëlltyrë: 5 “Doli mbjellësi për të qitur farën. E, ndërsa po qiste farën, disa kokrra ranë pranë udhës: u shkelën dhe i hëngrën zogjtë e qiellit. 6 Disa të tjera ranë në gurishtë; mbinë, por u thanë, sepse nuk kishte lagështinë. 7 Disa ranë në ferra; ferrat, duke u rritur bashkë me to, ua morën frymën. 8 Kurse do të tjera ranë në tokë të mirë; mbinë e dhanë fryt njëqind fish.” Kur i tha këto fjalë, theksoi: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” 9 Nxënësit e tij e pyetën çka do të thotë ajo shëmbëlltyrë.

10 Ai iu përgjigj: “Ju e keni dhuratë dijen e mistereve të Mbretërisë së Hyjit, kurse të tjerëve u paraqitet vetëm në shëmbëlltyra, që: ‘Të shikojnë e të mos shohin, të dëgjojnë e të mos kuptojnë.’“ 11 “Ky është vështrimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit: Fara është fjala e Hyjit. 12 Ato ‘pranë udhës’, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por pastaj u vjen djalli dhe ua nxjerr nga zemra fjalën, që të mos besojnë e të mos shëlbohen. 13 Ato ‘në gurishte’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën e pranojnë me gëzim, porse nuk kanë rrënjë: për disa kohë besojnë, por kur vjen koha e tundimit, e lënë fenë. 14 Ato ‘në ferra’, janë ata që e dëgjuan, por ende në udhë, ua zënë frymën kujdeset tokësore, pasuritë dhe kënaqat e jetës e nuk japin fryte të pjekura. 15 Ato ‘në tokë të mirë’, janë ata që e dëgjojnë Fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8

 

Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.

 

Ose: Krh. 1 Kor 10, 16

 

Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!

 

Lutja pas kungimit

 

E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.