Leximet e ditës
JAVA E XXV GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes
Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 55, 6-9) (fq. 1037)
Mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
6 Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! 7 Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje. 8 Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia, thotë Zoti. 9 Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja!
Fjala e Zotit
Psalmi 145 (144), 2-3.8-9.17-18 (fq. 825)
Ref. Zoti është afër tyre që e kërkojnë.
2 Çdo ditë do të të bekoj
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.
3 Zoti është i madh e i lavdërueshëm,
e pashqyrtueshme është madhëria e tij!
Ref. Zoti është afër tyre që e kërkojnë.
8 Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
9 Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
Ref. Zoti është afër tyre që e kërkojnë.
17 I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
18 Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
Ref. Zoti është afër tyre që e kërkojnë.
Leximi i dytë (Fil 1, 20c-24.27a) (fq. 1655)
Për mua Krishti është jetë.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, 20 Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha. 21 Vërtet, për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë! 22 Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! 23 Jam ndërdyzash: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, [sepse] kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, 24 por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju.
27 Ju veç, jetoni në mënyrë të denjë të Ungjillit të Krishtit.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Hapi, o Zot, zemrat tona që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd. (krh. Vap 16, 14b)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 20, 1-16) (fq. 1411)
Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve te vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. 2 E, si u godit me punëtorët me nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet.
3 Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në treg 4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ 5 Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. 6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ 7 Ata i përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’
8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën ‑ fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ 9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar.
10 Kur erdhën të parët, menduan se do të marrin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. 11 Duke e marrë i ankoheshin në zotshtëpinë12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’ 13 E ai i përgjigji njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u godite me mua nga një denar? 14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! 15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’ 16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 118, 4-5
Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.
Ose: Gjn 10, 14
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.