Leximet e ditës

JAVA E XXV GJATË VITIT

 

E MARTË

 

Antifona e hyrjes

 

Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Fu 21, 1-6.10-13) (fq. 851/2)

 

Fjalë të urta të ndryshme.

 

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

 

1 Zemra e mbretit si rrëketë e ujërave është në dorë të Zotit: gjithkah të dojë e sjellë atë. 2 Në sytë e njeriut të gjitha udhët janë të drejta, por ai që i peshon zemrat është Zoti. 3 Të zbatohet mëshira dhe e drejta i pëlqen Zotit më tepër se flitë. 4 Sytë madhështorë, zemra krenare, dritëza e të paudhëve, ja, çka është mëkati! 5 Synimet e të kujdesshmit gjithmonë shpien në mbushulli, kurse kush ngutet, mbetet në skamje. 6 Pasuria e fituar në saje të rrenave është vesë para diellit të njerëzve që kërkojnë vdekjen. 10 Shpirti i bakeqit dëshiron të keqen, as i afërmi i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij. 11 Kur ndëshkohet përqeshësi edhe i padijshmi bëhet i mençur, kur e mëson të urtin, e shton dijen. 12 I Drejti e vëren shtëpinë e të paudhit dhe bakëqijtë i plandos në mjerim. 13 Kush i mbyll veshët në klithmën e skamnorit, edhe ai do të thërrasë, por nuk do të dëgjohet.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 1.27.30.34.35.44 (fq.797)

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së urdhërimeve të tua.

 

1 Lum njeriu me sjellje të pastër,

që ecën në Ligjin e Zotit!

27 Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua

e do t’i kujtoj mrekullitë e tua.

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së urdhërimeve të tua.

 

30 E kam zgjedhur udhën e së vërtetës,

në zemër i kam urdhërimet e tua.

34 Më jep kuptim që ta mbaj Ligjin tënd

e do ta zbatoj me gjithë zemrën time.

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së urdhërimeve të tua.

 

35 Më prij udhës së urdhërimeve të tua,

sepse në të e kam kënaqësinë time.

44 E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë,

në shekuj e në jetë të jetës.

 

Ref. Më udhëheq, o Zot, udhës së urdhërimeve të tua.

 

Aleluja!

Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë me dashuri. (krh. Lk 11, 28)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 8, 19-21) (fq.1473)

 

Nëna ime e vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 19 nëna e tij dhe vëllezërit erdhën ta shohin por s’mundën të afroheshin tek ai prej popullit.

20 E lajmëruan: “Nëna jote e vëllezërit e tu, janë jashtë e dëshirojnë të të shohin.” 21 Ai iu përgjigj: “Nëna ime e vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 118, 4-5

 

Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.

 

Ose: Gjn 10, 14

 

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.