Leximet e ditës
JAVA E XXV GJATË VITIT
E MËRKURË
Antifona e hyrjes
Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.
Kolekta
O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Fu 30, 5-9) (fq. 861)
Mos më jep as skamje as pasje, por më jep vetëm sa me lypet për jetesë.
Lexim prej Librit të Fjalëve të urta
5 Çdo fjalë e Hyjit është e sprovuar në zjarr dhe është shqyt për ata që shpresojnë në të. 6 Asgjë mos u shto fjalëve të tija që të mos qortohesh e të dalësh rrenacak.
7 Të lutem të më japësh dy gjëra, mos m’i moho deri të vdes: 8 dëboji prej meje kotësi e gënjeshtër, mos më jep as skamje as pasje, më jep vetëm sa më lypet për jetesë; 9 sepse, tepër mirë i ngirë, mund të të mohoj e të them: “Kush është Zoti?”, ose, i shtytur nga varfëria e tepërt, të vjell, e kështu ta çnderoj emrin e Hyjit tim.
Fjala e Zotit
Psalmi 119 (118), 29.72.89.101.104.163 (fq.797)
Ref. Fjala jote, o Zot, është dritë për këmbën time.
29 Më mbaj larg nga udha e gënjeshtrës,
më pajis me Ligjin tënd.
72 Më i mirë është për mua Ligji yt
se me mijëra monedha ari e argjendi.
Ref. Fjala jote, o Zot, është dritë për këmbën time.
89 E amshueshme është, o Zot, fjala jote,
e qëndrueshme porsi qielli.
101 Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes
për t’i ruajtur urdhërimet e tua.
Ref. Fjala jote, o Zot, është dritë për këmbën time.
104 Me anë të urdhërimeve të tua fitoj urtinë,
prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre.
163 E urrej gënjeshtrën dhe më velet,
kurse Ligjin tënd e kam për zemër.
Ref. Fjala jote, o Zot, është dritë për këmbën time.
Aleluja!
Afër është Mbretëria e qiellit thotë Zoti; kthehuni dhe besoni Ungjillit. (Mk 1, 15)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 9, 1-6) (fq.1474)
I dërgoi për ta shpallur Mbretërinë e Hyjit dhe të shërojnë të sëmurët.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 1 Jezusi i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u dha zotësi e pushtet mbi të gjithë djajtë si dhe aftësinë të shërojnë sëmundjet. 2 Pastaj i dërgoi të shpallin Mbretërinë e Hyjit dhe të shërojnë të sëmurët.
3 E u tha: “Asgjë mos merrni për udhëtim: as shkop, as strajcë, as bukë, as para, e secili mos të ketë më se dy këmisha. 4 Në atë shtëpi që të hyni, aty rrini derisa të qëndroni në atë vend. 5 Nëse ndokush nuk do t’ju pranojë, kur të dilni prej atij qyteti, shkundni pluhurin prej këmbëve tuaja si dëshmi kundër tyre.”
6 Ata u nisën dhe renderendas u ranë fshatrave duke predikuar Ungjillin e duke shëruar gjithkund.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 118, 4-5
Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.
Ose: Gjn 10, 14
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.