Leximet e ditës
JAVA E XXV GJATË VITIT
E ENJTE
Antifona e hyrjes
Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.
Kolekta
O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Kish 1, 2-11) (fq. 865/6)
S’ka asgjë të re nën diell.
Lexim prej Librit të Kishtarit
2 Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari, kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi! 3 Ç’fitim ka njeriu prej të gjithë punës që bën nën diell? 4 Një brezni kalon, një tjetër brezni vjen, kurse toka mbetet gjithmonë e njëjta. 5 Dielli lind, dielli perëndon e mezi ç’pret të mbërrijë në vendin e vet nga prapë lind! 6 Era merr drejtimin e mesditës, kthehet në perëndim, fryn duke u endur gjithkah në lëvizje dhe kthehet në vorbullat e veta. 7 Të gjithë lumenjtë rrjedhin drejt detit e deti nuk mbushet, dhe, në vendet nga dalin, atje lumenjtë kthehen në rrjedhën e vet. 8 Gjithçka është e mërzitshme dhe s’ka njeri që mund t’ia shtjellojë psehin. S’ngihet syri me të këqyrur as s’mbushet veshi me të dëgjuar. 9 Çka bëhej, bëhet edhe tani e do të jetë pastaj. Çka ka qenë bërë është tani e do të bëhet pastaj: 10 s’ka asgjë të re nën diell! Nëse thuhet për një gjësend: “Ja, kjo është e re!”, ajo ishte shekuj me radhë para nesh! 11 S’ka kujtim për kohët e shkuara, po gjithashtu s’do të ketë kujtim as për gjërat që do të vijnë tek ata që do të jenë pas tyre.
Fjala e Zotit
Psalmi 90 (89), 3-4.5-6.12-13.14.17bc (fq. 762)
Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”
4 Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërrimi e rojës së natës!
Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.
5 Ti i zhbin si gjumin e mëngjesit
6 janë si bari që gjelbëron;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,
në mbrëmje vyshket edhe thahet!
Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.
12 Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.
14 Na ngij në mëngjes me dashurinë tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
17 Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona.
Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.
Aleluja!
Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti, askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. (Gjn 14, 6)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 9, 7-9) (fq.1474/5)
Gjonit unë ia preva kryet! Po ky kush do të jetë, për të cilin po dëgjoj kaq shumë?
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 7 Herodi tetrark kishte dëgjuar për të gjitha këto ngjarje dhe ishte shumë i shqetësuar, sepse disa thoshin: “U ngjall Gjoni së vdekuri!” 8 Disa tjerë: “U duk Elia!” Disa tjerë prapë: “U ngjall një prej profetëve të vjetër!”
9 Kurse Herodi tha: “Gjoni! Atij unë ia preva kryet! Po ky kush do të jetë, për të cilin po dëgjoj kaq shumë?” E kërkonte rastin ta shihte.
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Ps 118, 4-5
Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.
Ose: Gjn 10, 14
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Lutja pas kungimit
O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.