Leximet e ditës

JAVA E XXV GJATË VITIT

 

E PREMTE

 

Antifona e hyrjes

 

Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Kish 3, 1-11) (fq. 867/8)

 

Çdo gjë e ka kohen e vet.

 

Lexim prej Librit të Kishtarit

 

1 Çdo gjë e ka kohën e vet edhe secila punë nën qiell e ka momentin e vet: 2 kohë për të lindur e kohë për të vdekur,

 kohë për të mbjellë e kohë për shkulur çka u mboll,

3 kohë për të vrarë e kohë për të shëruar,

kohë për të shkatërruar e kohë për të ndërtuar,

4 kohë për të qarë e kohë për të qeshur,

kohë për të bërë gjëmë e kohë për të kërcyer,

5 kohë për të shpërndarë gurë e kohë për t’i mbledhur,

kohë për t’u marrë ngrykë e kohë për të mos u marrë ngrykë,

6 kohë për të kërkuar e kohë për të humbur,

kohë për të ruajtur e kohë për të flakur tej,

7 kohë për të qepur e kohë për të shqepur,

kohë për të heshtur e kohë për të folur,

8 kohë për të dashur e kohë për të urryer,

kohë për të luftuar e kohë e paqes.

9 Ç’fitim ka ai që punon prej mundit të vet? 10 E shqyrtoj punën që Hyji ua ka dhënë bijve të njerëzve për ta kryer. 11 Gjithçka ai bën është e mirë në kohën e vet; por megjithëse ia ka dhënë mundësinë që njeriu ta ketë parasysh gjatësinë e sendeve të krijuara, megjithatë njeriu s’do të mund ta kuptojë veprën që Hyji e bën prej fillimit e deri në mbarim.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 144 (143), 1b.2abc.3-4 (fq. 823)

 

Ref. Qoftë bekuar Zoti, shkëmbi im.

 

1 Qoftë bekuar Zoti, shkëmbi im.

2 Mëshira ime dhe kështjella ime,

strehimi im dhe çlirimtari im.

 

Ref. Qoftë bekuar Zoti, shkëmbi im.

 

3 O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi,

biri i njeriut që të kujdesesh për të?

4 Njeriu i përngjan avullit,

ditët e tija si hija që kalon.

 

Ref. Qoftë bekuar Zoti, shkëmbi im.

 

Aleluja!

Biri i njeriut erdhi për të shërbyer e ta japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë. (krh. Mk 10, 45)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 9, 18-22) (fq.1475)

 

Ti je Mesia i Hyjit. Birit të njeriut i duhet të pësojë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

8 Ndërsa një ditë Jezusi po lutej në vetmi - ishin me të vetëm nxënësit e tij - ai u bëri këtë pyetje: “Kush thonë njerëzit se jam unë?” 19 Ata iu përgjigjën: “Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”

20 “Po ju i pyeti atëherë ata – kush mendoni se jam unë? Pjetri iu përgjigj: “Ti je Mesia i Hyjit!”

21 Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt. 22 E vazhdoi: “Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 118, 4-5

 

Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.

 

Ose: Gjn 10, 14

 

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.