Leximet e ditës

JAVA E XXV GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes

 

Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Kish 11, 9- 12, 8) (fq. 898/9)

 

Kujtoje Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.

 

Lexim prej Librit të Kishtarit

 

9 Gëzo, pra, o djalosh, në rininë tënde dhe galdo në ditët e djalërisë sate, ec udhëve të zemrës sate dhe ndiqi dëshirat e syve të tu, por dije se për të gjitha këto Hyji do të të gjykojë. 10 Largo pikëllimin prej mendjes sate, flake dhimben nga trupi yt: sepse djalëria e rinia janë të kota. 12, 1 Kujtoje Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijë koha e vuajtjeve e të afrohen ditët për të cilat të thuash: “Jo, nuk më pëlqejnë më!”; 2 para se të terratisen dielli e drita e hëna e yjet, e të kthehen retë pas shiut; 3 kur të përkulen rojtarët e shtëpisë e të kërrusen trimat e fortë, kur të mërziten blueset, sepse mbetën të pakta; kur të errësohen shikueset nëpër dritare; 4 kur të mbyllet dera nga jashtë e kur do të dobësohet zhurma e mullirit, kur mos të ndihet cicërimi i zogjve, e kur të ndalet këndimi i këngëve. 5 Atëherë do të tmerrojnë përpjetat, frikë do të shtie udhëtimi. Do të lulëzojë bajamja, zvarrë do të hiqet karkaleci e do të shkatërrohet kaperi, sepse njeriu do të niset në shtëpinë e amshimit të vet. Vajtuesit do të enden në sheshe. 6 Para se të këputet litari i argjendtë e të copëtohet kandili i artë, të thyhet katrova në krua, të copëtohet çikriku përmbi cisternë 7 e të kthehet pluhuri në tokën e vet nga erdhi e shpirti të kthehet tek Hyji që e dha. 8 Kotësi kotësish, thotë Kishtari e gjithçka kotësi.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 90 (89), 3-4.5-6.12-13.14.17 (fq. 762)

 

Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.

 

3 Ti e kthen njeriun në pluhur

duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”

4 Sepse mijëra vjet për sy të tu

janë si dita e djeshme që kaloi,

porsi ndërrimi e rojës së natës!

 

Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.

 

5 Ti i zhbinë si gjumin e mëngjesit

6 janë si bari që gjelbëron:

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,

në mbrëmje vyshket edhe thahet!

 

Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.

 

12 Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona

që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?

Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

 

Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.

 

14 Na ngij në mëngjes me dashurinë tënde

e do të gëzohemi e do të galdojmë

të gjitha ditët e jetës sonë.

17 Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,

bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona.

 

Ref. O Zot, ti u bëre strehimi ynë nga breznia në brezni.

 

Aleluja!

Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti e asgjësoj vdekjen dhe bëri të shndrit jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit. (2 Tim 1, 10)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 9, 43b-45) (fq. 1476)

 

Biri i njeriut do të bjerë në duar të njerëzve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte, Jezusi u tha nxënësve të vet: 44 “Thadroni mirë në zemër këto fjalë që po ju them: Biri i njeriut do të bjerë në duar të njerëzve.”

45 Por ata nuk e morën vesh këtë fjalë. Kjo për ta mbetej fshehtësi e nuk e kuptonin. Madje kishin frikë ta pyesnin për këtë fjalë.

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Ps 118, 4-5

 

Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.

 

Ose: Gjn 10, 14

 

Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.

 

Lutja pas kungimit

 

O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.