Leximet e ditës
JAVA E XXVI GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Dan 3, 31.29.30.43.42
Gjithçka na bëre, o Zot, e bëre plotësisht me të drejtë, sepse kemi mëkatuar kundër teje, e nuk i kemi dëgjuar urdhërimet e tua; por jepi lavdi emrit tënd, o Zot; sillu me ne sipas mirësisë sate të madhe.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj, Ti e tregon gjithëpushtetësinë tënde veçanërisht me falje e me mëshirë: na ndiko hirin tënd vazhdimisht, që duke vrapuar nga premtimet tua, të bëhemi bashkëtrashëgimtarë në të mirat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Ez 18, 25-28) (fq. 1164)
Nëse i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet, ai ia kthen jetën vetvetes.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti, 25 ju thatë: 'Nuk është e drejtë udha e Zotit'. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s'është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe?
26 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. 27 E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes. 28 ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e jo, nuk do të vdesë.
Fjala e Zotit
Psalmi 25 (24), 4-5.6-7.8-9 (fq. 683)
Ref. Le të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
4 Bëj t'i njoh, o Zot, udhët e tua
e m'i mëso shtigjet e tua.
5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
Ref. Le të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
6 Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
7 Mos i kujto fajet e paudhësitë e rinisë sime:
le të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
- për hir të mirësisë sate, o Zot.
Ref. Le të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
8 I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
9 të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
Ref. Le të bie ndër mend, o Zot, mëshira jote.
Leximi i dytë (Fil 2, 1-11) (fq. 1655/6)
Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Vëllezër, 1 nëse vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, 2 atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi!
3 Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbani njëri‑tjetrin më të madh se veten. 4 Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
5 Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus: 6 i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s'mundet pa të, 7 por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. 8 E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. 9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër 10 që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë 11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë: "Jezu Krishti është Zot!" Në nder të Hyjit Atë.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim - thotë Zoti - Unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. (Gjn 10, 27)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 21, 28-32) (fq. 1413/4)
Tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe kryetarëve të popullit: 28 »Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: 'Biro, dil sot e puno në vresht!' 29 Ai i përgjigji: 'Nuk dua!' Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. 30 Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai i përgjigji: 'Po shkoi, imzot!', por nuk shkoi. 33 Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t'et? « I thanë: »I pari!«
»Përnjëmend po ju them: - vazhdoi Jezusi - tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. 32 Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t'i besuar.«
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që të të pëlqejë kushti ynë dhe, në saje të tij, të na burojë gurra e bekimeve të tua qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 118, 49-50
Të të bjerë ndër mend fjala që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më ke dhënë shpresë, o Zot, ajo më ngushëlloi në vështirësinë time.
Ose: 1 Gjn 3, 16
Me këtë gjë e njohëm dashurinë e Hyjit: Ai e dhuroi jetën e vet për ne edhe ne duhet ta japim jetën për vëllezër.
Lutja pas kungimit
Ky mister qiellor na përtëriftë, o Zot, shpirtin e trupin, që ne, të cilët marrim pjesë në vdekjen e Krishtit, të bëhemi edhe pjesëtarë në lumturinë e tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.