Leximet e ditës

JAVA E XXVI GJATË VITIT

 

E HËNË

 

Antifona e hyrjes Dan 3, 31.29.30.43.42

 

Gjithçka na bëre, o Zot, e bëre plotësisht me të drejtë, sepse kemi mëkatuar kundër teje, e nuk i kemi dëgjuar urdhërimet e tua; por jepi lavdi emrit tënd, o Zot; sillu me ne sipas mirësisë sate të madhe.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e tregon gjithëpushtetësinë tënde veçanërisht me falje e me mëshirë: na ndiko hirin tënd vazhdimisht, që duke vrapuar nga premtimet tua, të bëhemi bashkëtrashëgimtarë në të mirat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jb 1, 6-22) (fq. 624)

 

Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë; qoftë bekuar Emri i Zotit!

 

Lexim prej Librit të Jobit

 

6 Një ditë, Bijtë e Hyjit shkuan për t'u paraqitur te Zoti. Bashkë me ta qe edhe Satani. 7 Zoti e pyeti Satanin: «Nga po vjen?» Ky iu përgjigj: «E mora dheun në sy dhe e përshkova skaj më skaj.» 8 Zoti e pyeti: «A mos e pe kund Jobin, shërbëtorin tim? S'e ka shoqin mbi tokë: njeri i patëmeta dhe i drejtë, që e ka frikë Hyjin dhe i shmanget së keqes.» 9 Por Satani i përgjigji Hyjit: «Pse a thua Jobi kot e druan Hyjin?! 10 Pse a nuk e ke rrethuar me gardh atë, shtëpinë e tij e gjithçka është e tija? Pse a nuk ia ke bekuar çdo ndërmarrje të tij dhe kështu u rrit mbi tokë pasuria e tij. 11 Por sprovo e shtrije njëherë pakësa dorën tënde e preke në gjithçka ka, pale a nuk do të mallkojë në fytyrë!» 12 Hyji iu përgjigj Satanit: «Mirë, pra! Gjithçka ka janë në dorën tënde: por ruaju se vë dorë në të». Satani u largua nga prania e Zotit.

13 Një ditë, kur bijtë e Jobit po hanin e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të madh, 14 ia behi lajmëtari te Jobi e i tha: «Qetë po lëvronin e gomaret po kullotnin afër tyre, 15 kur qe, papritmas u sulën sabenjtë, rrëmbyen qe e gomare, shërbëtorët i prenë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm». 6 Ndërkohë që ky ende po fliste, erdhi një tjetër e tha: «Zjarri i Hyjit ra prej qiellit, i dogji delet e i përpiu barinjtë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm».

7 Po edhe ndërsa ky ende po fliste, ia behi një tjetër e tha: «Kaldenjtë u ndanë në tri çeta, i sulmuan devet, i rrëmbyen ato, i prenë barinjtë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm.»

18 Ende ky po fliste, kur qe, një tjetër hyri e tha: «Ndërsa djemtë e tu e vajzat e tua po hanin bukë e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të parëlindur, 19 u sul një stuhi papritmas tejet e fortë nga ana e shkretëtirës dhe i tundi katër këndet e shtëpisë. Shtëpia ra, i shtrydhi fëmijët e tu e mbetën vdekur, e shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm të zi».

20 Atëherë Jobi u çua në këmbë, i shqeu petkat e veta, e rroi kryet, ra me fytyrë për dhe në adhurim 21 dhe tha: «Lakuriq dola nga kraharori i nënës e lakuriq do të kthehem atje. Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë; si ka dashtë Zoti ashtu u bë: qoftë bekuar Emri i Zotit!»

22 Në të gjitha këto fatkeqësi Jobi nuk mëkatoi dhe se tha me gojën e vet asnjë marrëzirë kundër Hyjit.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 17 (16), 1bcd.2-3.6-7 (fq. 672)

 

Ref. Kthehu drejt meje, o Zot, e dëgjoje lutjen time.

 

1 Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë,

vështroje lutjen time,

Vëri vesh lutjes sime

që del nga buzët joshtiracake.

 

Ref. Kthehu drejt meje, o Zot, e dëgjoje lutjen time.

 

2 Prej teje le të më vijë vendimi gjykues,

sepse vetëm sytë e tu shikojnë të drejtën.

3 Sprovoje zemrën time, vëreje atë natën,

më sprovo me zjarr: në mua nuk do të gjesh padrejtësi.

4 Goja ime s'gabon siç veprojnë njerëzit.

 

Ref. Kthehu drejt meje, o Zot, e dëgjoje lutjen time.

 

6 Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, e më vështro,

ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,

7 madhëroje mbi mua dashurinë tënde,

ti që i shpëton nga armiku

ata që shpresojnë në të djathtën tënde.

 

Ref. Kthehu drejt meje, o Zot, e dëgjoje lutjen time.

 

Aleluja!

Biri i njeriut erdhi për të shërbyer e ta japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë. (krh. Mk 10, 45)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 9, 46-50) (fq. 1476/7)

 

Kush është ndër ju më i vogli, ai është më i madh.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në ato ditë, 46 ndër apostuj lindi kjo çështje: cili prej tyre do të ishte më i madhi.

47 Jezusi, duke ditur ç'mendime u vlonin në zemër, e mori një fëmijë, e afroi pranë vetes, 48 dhe u tha: »Kush e pranon këtë fëmijë në emër tim, më pranon mua, e kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua. Përnjëmend, kush është ndër ju më i vogli, ai është vërtet i madh.«

49 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: »Mësues, e pamë një njeri që dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse nuk vjen pas teje me ne.« 50 Jezusi i përgjigji: »Mos ia ndaloni, sepse, kush nuk është kundër jush, është me ju.»

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që të të pëlqejë kushti ynë dhe, në saje të tij, të na burojë gurra e bekimeve të tua qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 118, 49-50

 

Të të bjerë ndër mend fjala që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më ke dhënë shpresë, o Zot, ajo më ngushëlloi në vështirësinë time.

 

Ose: 1 Gjn 3, 16

 

Me këtë gjë e njohëm dashurinë e Hyjit: Ai e dhuroi jetën e vet për ne edhe ne duhet ta japim jetën për vëllezër.

 

Lutja pas kungimit

 

Ky mister qiellor na përtëriftë, o Zot, shpirtin e trupin, që ne, të cilët marrim pjesë në vdekjen e Krishtit, të bëhemi edhe pjesëtarë në lumturinë e tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.