Leximet e ditës

29 shtator

 

SHËN MËHILLI, GABRIELI E RAFAELI, KRYEENGJËJ

 

Festë

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps. 102, 20

 

Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij, ushtrues të fortë që kryeni urdhrat e tij, duke dëgjuar fjalën e tij.

 

Thuhet Lavdi

 

Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore

e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.

Ne po të lëvdojmë,

po të bekojmë,

po të adhurojmë,

po të madhërojmë,

po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.

Zot Hyj, Mbret qiellor,

Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.

Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,

vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,

së bashku me Shpirtin Shenjt,

në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

 

Kolekta

 

Në dijen tënde të mrekullueshme, o Zot, Ti u përcakton detyrat përkatëse engjëjve dhe njerëzve; bëj të jemi të mbrojtur këtu mbi tokë prej atyre, që vazhdimisht në qiell shërbejnë para fytyrës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Dan 7, 9-10.13-14) (fq. 1218/9)

 

Miriada miriadash i shërbenin.

 

Lexim prej Librit të Danielit profet

 

9 Vrojtoja dhe ja, u shtruan fronet dhe i Tejetlashti u ul. Petku i tij i bardhë porsi bora, flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër; froni i tij porsi flaka e zjarrit, rrotat e tija zjarr i ndezur flakë!

10 Lumë i zjarrtë rridhte e dilte përpara tij, mijëra mijërash i shërbenin e miriarda miriardash qëndronin përpara tij: po bëhej gjyqi, u hapën librat!

13 Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij.14 Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i tij pushtet i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.

 

Fjala e Zotit

 

Ose:

 

Leximi i parë (Zb 12, 7-12a) (fq. 1744/5)

 

Mikaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit.

 

Lexim prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit apostull

 

7 Atëherë filloi lufta në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e vet edhe Dragoi ra në luftë, 8 por nuk fitoi: për ta nuk pati më vend në qiell! 9

Dhe, Dragoi i madh, Gjarpër i vjetër - që quhet Djall - Satani, ngashënjyesi i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën!

10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte:

 »Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

11 Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit dhe në saje të dëshmisë së vet: nuk e deshën jetën e vet aq sa ta donin vdekjen.

12 Prandaj galdo, o qiell, galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë!«

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 138 (137), 1-2ab.2cde-3.4-5 (fq. 818)

 

Ref. Ty të këndojmë, o Zot, para engjëjve të tu.

 

1 Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,

sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.

Të këndoj në praninë e engjëjve,

2 adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

 

Ref. Ty të këndojmë, o Zot, para engjëjve të tu.

 

E falënderoj Emrin tënd

për dashurinë e besnikërinë tënde.

3 Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,

shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.

 

Ref. Ty të këndojmë, o Zot, para engjëjve të tu.

 

4 Do të të lavdërojnë, o Zot, të gjithë Mbretërit e tokës

sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.

5 Do t'i këndojnë udhët e Zotit,

sepse e madhe është lavdia e Zotit.

 

Ref. Ty të këndojmë, o Zot, para engjëjve të tu.

 

Aleluja!

Bekojeni Zotin, të gjithë ju, o engjëj, shërbëtorët e tij, që e bëni vullnetin e tij. (Ps 103 (102), 20.21)

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 1, 47-51) (fq. 1507)

 

Do t’a shihni qiellin e hapur, dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

 

Në atë kohë, 47 kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të: “Qe një izraelas të vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!” 48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli. Jezusi iu përgjigj: “Para se të të thirri Filipi, të pashë nën fik!” 49 Atëherë Natanaeli i tha: “Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!” 50 Jezusi iu përgjigj: “Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi: “Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Po ta paraqesim, o Zot, flinë e lavdit dhe po të lutemi me përvujtëri, pasi engjëjt e sjellin në praninë e madhërisë sate, pranoje me mirësi, që të na sjellë të gjithëve shpëtimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Prefacioni: Nëpër engjëjt i jepet lavdi Hyjit

 

M. Zoti qoftë me ju.

P. Dhe me shpirtin tënd.

M. T’i lartësojmë zemrat.

P. I kemi te Zoti.

M. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.

P. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,

është detyra jonë dhe burim shpëtimi,

të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,

o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

Ne nuk pushojmë së shpalluri lavditë e tua

në kryeengjëjt dhe engjëjt e tu

sepse nderimi i dhënë engjëjve të tu

i shkon madhërisë dhe lavdisë sate;

dhe në ta, që janë të stolisur me dhurata të shkëlqyera,

Ti na dëftohesh i pakufishëm dhe i shkëlqyeshëm mbi çdo krijesë,

nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Nëpër të të lavdëron turma e engjëjve

dhe ne po i bashkohemi me adhurim e plot galdim

duke thënë bashkë me ta me zë lavdi:

Shenjt, Shenjt, Shenjt.

 

Antifona e kungimit Ps 137, 1

 

Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot, të këndoj në praninë e engjëjve.

 

Lutja pas kungimit

 

Të ushqyer me bukën qiellore, me përvujtëri po të lutemi, o Zot, që me këto forca të përtërira e me mbrojtjen e engjëjve të përparojmë me hapa të sigurtë në udhën e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.