Leximet e ditës

JAVA E XXVI GJATË VITIT - 0se më poshtë - Shën Jeronimi

 

E MËRKURË

 

Antifona e hyrjes Dan 3, 31.29.30.43.42

 

Gjithçka na bëre, o Zot, e bëre plotësisht me të drejtë, sepse kemi mëkatuar kundër teje, e nuk i kemi dëgjuar urdhërimet e tua; por jepi lavdi emrit tënd, o Zot; sillu me ne sipas mirësisë sate të madhe.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e tregon gjithëpushtetësinë tënde veçanërisht me falje e me mëshirë: na ndiko hirin tënd vazhdimisht, që duke vrapuar nga premtimet tua, të bëhemi bashkëtrashëgimtarë në të mirat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Jb 9, 1-12.14-16) (fq. 630)

 

Kush mund të ketë të drejtë para Hyjit?

 

Lexim prej Librit të Jobit

 

1 Jobi mori fjalën e tha: 2 “Vërtet e di se ashtu është: para Hyjit kush mund të ketë të drejtë? 3 Nëse me Të do të bëjë rragatje një në një mijë s’mund t’i përgjigjem! 4 Në mend i kthjellët e në fuqi i fortë, e luftoi kush e fitues doli? 5 I shkul malet e ato s’e dinë, këndej‑andej me furi i sjell! 6 Shrregull tokën nga vendi e luan, tranden të gjitha shtyllat e saja. 7 I urdhëron diellit e ai nuk lind, nën vulë të vet yjet i ndryen. 8 Pa ndihmën e tjerëve ai e shtrin qiellin, lirisht ecën mbi valë të detit! 9 Ai krijoi Arushë e Orion, Shenjëzat dhe Yjet e Jugut. 10 Bën punë të mëdha e të pashqyrtueshme, mrekulli që s’mund të numërohen! 11 Vjen tek unë e nuk e shoh, më bie përbri e s’e hetoj. 12 Nëse rrëmben, kush e pengon? Kush guxon t’i thotë: ‘Ç’po bën?’ 14 Kush jam unë që t’i përgjigjem e me ç’fjalë t’i kundërshtoj? 15 Edhe në të drejtën sikur të isha, s’do të përgjigjesha... do ta lutja Gjykatësin tim. 16 Po edhe uratën të ma dëgjonte, s’do të besoja se më ka vështruar!

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 88 (87), 10bc-11.12-13.14-15 (fq. 758)

 

Ref. Le të arrij te ti, lutja ime, o Zot.

 

10  Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot,

duart e mia drejt teje i shtrij.

11 Vallë për të vdekur bën ti mrekulli?

A thua hijet ngrihen për të lëvduar?

 

Ref. Le të arrij te ti, lutja ime, o Zot.

 

12 Flet ndokush për mirësinë tënde në varr,

për besën tënde në vendin e shkatërrimit?

13 Në errësirë njihen mrekullitë e tua,

në vend të harresës drejtësia jote?

 

Ref. Le të arrij te ti, lutja ime, o Zot.

 

14 E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë,

urata ime në mëngjes mbërrin para teje.

15 Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim?

Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?

 

Ref. Le të arrij te ti, lutja ime, o Zot.

 

Aleluja!

Unë gjithçka mbaj si dëm dhe gjithçka lë pas, në krahasim me njohjen e Jezu Krishtit, Zotit tim. (krh. Fil 3, 8-9)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 9, 57-62) (fq. 1477)

 

Dua të vijë pas teje kahdo që të shkosh!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 57 ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha Jezusit: “Unë dua të vijë pas teje kahdo që të shkosh!” 58 Jezusi iu përgjigj: “Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!”

59 Një tjetrit i tha: “Eja pas meje!” Por ai iu përgjigj: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!” 60 “Lëri ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!”

61 Atëherë i tha një tjetër: “Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.” 62 “Kushdo ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!”

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që të të pëlqejë kushti ynë dhe, në saje të tij, të na burojë gurra e bekimeve të tua qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 118, 49-50

 

Të të bjerë ndër mend fjala që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më ke dhënë shpresë, o Zot, ajo më ngushëlloi në vështirësinë time.

 

Ose: 1 Gjn 3, 16

 

Me këtë gjë e njohëm dashurinë e Hyjit: Ai e dhuroi jetën e vet për ne edhe ne duhet ta japim jetën për vëllezër.

 

Lutja pas kungimit

 

Ky mister qiellor na përtëriftë, o Zot, shpirtin e trupin, që ne, të cilët marrim pjesë në vdekjen e Krishtit, të bëhemi edhe pjesëtarë në lumturinë e tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

30 shtator

 

Shën Jeronimi, meshtar e Mësues i Kishës

 

Përkujtim

 

Antifona e hyrjes Krh. Ps 1, 2-3

 

Lum njeriu që ditë e natë kujton ligjin e Zotit: ai e jep frytin e vet në stinë.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti i dhurove shën Jeronimit meshtar një njohje të thellë e depërtuese të Shkrimit të Shenjtë; bëj që populli yt të ushqehet gjithmonë e më shumë me fjalën tënde dhe ta gjejë në të gurrën e jetës. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (2 Tim 3, 14-17) (fq. 1681)

 

I terë Shkrimi i shenjtë, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

 

Biri im, 14 ti veç, qëndro në mësim që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove 15 dhe se qysh prej fëmijërisë e njeh Shkrimin e shenjtë, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin.

16 I tërë Shkrimi i shenjtë, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, 17 që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 9.10.11.12.13.14 (fq. 797)

 

Ref. Mi mëso, o Zot, ligjet e tua.

 

9 Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet?

Duke i zbatuar fjalët e tua.

10 Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim:

mos lejo t'u shmangem urdhërimeve të tua.

 

Ref. Mi mëso, o Zot, ligjet e tua.

 

11 Fjalët e tua i fsheha në zemrën time,

që të mos gaboj kundër teje.

12 I bekuar je, o Zot,

ma mëso vullnetin tënd.

 

Ref. Mi mëso, o Zot, ligjet e tua.

 

13 Me buzët e mia i shpall një nga një

të gjitha gjyqet e gojës sate.

14 Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua

se pasurisë tejet të madhe.

 

Ref. Mi mëso, o Zot, ligjet e tua.

 

Aleluja!

Hape, o Zot, zemrën tonë që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd. (Vap 16, 14b)

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 13, 47-52) (fq. 1402/3)

 

Kur rrjeta mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 47 Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. 48 Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. 49 Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve 50 dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh. 51 »A i kuptuat të gjitha këto?

»Po! - i përgjigjën ata.

52 E ai u tha: »Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan zotshtëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, o Zot, që, sipas shembullit të shën Jeronimit, pasi ta kemi përsiatur fjalën tënde, me më shumë gatishmëri t’ia kushtojmë madhërisë sate flinë e shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Jer 15, 16

 

O Zot Hyj, më erdhën fjalët e tua dhe unë i përpiva; Fjala jote u bë për mua gëzim dhe hare e zemrës sime.

 

Lutja pas kungimit

 

Bëj, o Zot, që kungimi i shenjtë që morëm në përkujtimin e shën Jeronimit, t’i nxisë zemrat tona për ta njohur Shkrimin e Shenjtë: të kuptojmë si duhet të jetojmë e të jetojmë në mënyrë që të fitojmë jetën e pasosur. Nëpër Krishtin Zotin tonë.