Leximet e ditës
JAVA E XXVIII GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Ps 129, 3-4
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot, o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? Por te Ti gjendet falja, o Hyj i Izraelit.
Kolekta
Na priftë, o Zot dhe na shoqëroftë përherë hiri yt dhe vazhdimisht na bëftë të kujdesshëm të kryejmë vepra të mira. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Gal 5, 1-6) (fq. 1644)
Në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, 1 Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t'ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!
2 Ja, unë, Pali, po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti më s'do t'ju vlejë asgjë! 3 Përsëri dua t'ju vë në dijeni: çdo njeri që rrethpritet, e detyron vetveten ta zbatojë mbarë Ligjin. 4 I këputët marrëdhëniet me Krishtin, ju që e themeloni shfajësimin në Ligj: keni rënë nga hiri.
5 Sepse ne nëpër Shpirtin Shenjt e presim me anë të fesë drejtësinë që e shpresojmë. 6 E njëmend, në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.
Fjala e Zotit
Psalmi 119 (118), 41.43.44.45.47.48 (fq. 797)
Ref. Le të vijë tek unë, o Zot, dashuria jote.
41 Ma jep, o Zot, mëshirën tënde,
shëlbimin tënd sikurse më premtove.
43 Kurrë mos e hiq prej gojës sime fjalën e së vërtetës,
sepse kam besim në gjyqet e tua.
Ref. Le të vijë tek unë, o Zot, dashuria jote.
44 E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë,
në shekuj e në jetë të jetës.
45 Do të eci udhës së madhe,
sepse i kërkoj urdhërimet e tua.
Ref. Le të vijë tek unë, o Zot, dashuria jote.
47 Do të kënaqem në urdhërimet e tua,
që aq shumë i kam për zemër.
48 Ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua që i dua,
e do t'i bluaj në mendje rregulloret e tua.
Ref. Le të vijë tek unë, o Zot, dashuria jote.
Aleluja!
Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese; përshkon aq sa ndanë frymën dhe shpirtin. (Heb 4, 12)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 11, 37-41) (fq. 1480/1)
Jepni lëmoshë e gjithçka do të jetë e pastër për ju.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 37 ndërsa Jezusi ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë. 38 Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit.
39 Zotëria i tha: »Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi. 40 Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë? 41 Jepni, pra, për lëmoshë ç'është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.
Fjala e Zotit
Pranoji, o Zot, bashkë me lutjet e besimtarëve, edhe flitë e kushtuara, që me përkushtinë ndaj shërbesës së shenjtë, të kalojmë në lumturinë qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 33, 11
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ndërsa ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
Ose: 1 Gjn 3, 2
Kur Zoti të shfaqet, do të bëhemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu si është.
Lutja pas kungimit
Po të lutemi me përvujtëri, o Zot, që sikurse na ushqen me Trupin e Gjakun e shenjtë, ashtu edhe na bëj pjesëtarë të natyrës hyjnore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.