Leximet e ditës
JAVA E XXVI GJATË VITIT
E PREMTE
Antifona e hyrjes Dan 3, 31.29.30.43.42
Gjithçka na bëre, o Zot, e bëre plotësisht me të drejtë, sepse kemi mëkatuar kundër teje, e nuk i kemi dëgjuar urdhërimet e tua; por jepi lavdi emrit tënd, o Zot; sillu me ne sipas mirësisë sate të madhe.
Kolekta
O Hyj, Ti e tregon gjithëpushtetësinë tënde veçanërisht me falje e me mëshirë: na ndiko hirin tënd vazhdimisht, që duke vrapuar nga premtimet tua, të bëhemi bashkëtrashëgimtarë në të mirat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Jb 38, 1.12-21; 40, 3-5) (fq. 652/3 dhe 655)
Gjatë jetës sate mëngjesit a i urdhërove? Po agimit vendin a ia caktove?
Lexim prej Librit të Jobit
1 Nga stuhia Zoti i përgjigji Jobit e i tha: 12 Gjatë jetës sate mëngjesit a i urdhërove? Po agimit vendin a ia caktove? 13 Kur ia kape skajet tokës a u shkundën prej saj mëkatarët? 14 A do të shndërrohet në deltinë për vula, do të ngjyroset porsi petku? 15 Mëkatarëve drita u merret, u thërrmohet grushti i ngritur. 16 A mos mbërrite në burimet e detit, a mos ece fundit të pështjerrave? 17 A t'u hapën dyert e vdekjes dhe i pe hymjet e errëta? 18 A i vrojtove përmasat e tokës? Fol, pra, nëse i di këto të gjitha! 19 Në cilin kënd drita banon? Vendbanimin ku e kanë errësirat? 20 Për t'u prirë në caqet e tyre o për t'i kthyer në banesë të tyre? 21 Po si! Ti atëherë ishe i lindur, vitet e tua janë tepër të shumta!
40, 3 Jobi iu përgjigj Zotit: 4 Heu! Pa mend fola! Si të përgjigjem? Me dorë gojën po e mbyll! 5 Një herë fola: s'e përsëris më! Dy herë fola: s'vazhdoj më!
Fjala e Zotit
Psalmi 139 (138), 1-3.7-8.9-10.13-14ab (fq. 819)
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e shëlbimit.
1 O Zot, ti më shqyrton e më njeh,
2 ti di kur rri e kur ngritem,
prej së largu i njeh mendimet e mia.
3 Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia.
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e shëlbimit.
7 Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd,
ku të iki larg prej pranisë sate?
8 Nëse ngjitem në qiell, ti atje je,
nëse zbres në Nëntokë, edhe aty je.
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e shëlbimit.
9 Po t'i marr krahët e agimit
e të shkoj të banoj në skajin e detit,
10 edhe atje dora jote do të më përcjellë
e do të më mbajë e djathta jote.
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e shëlbimit.
13 Ti je ai që m'i krijove veshkat,
ti më ke endur në kraharorin e nënës!
14 Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht,
të mrekullueshme janë veprat e tua.
Ref. Më udhëheq, o Zot, në udhën e shëlbimit.
Aleluja!
Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (krh. Ps 95, 8ab)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 10, 13-16) (fq. 1478)
Kush përbuz mua, përbuz Atë që më ka dërguar.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi tha: 13 »Vaj për ty, o Korozain, vaj për ty, o Betsaidë! Sepse të kishin ndodhur në Tir e në Sidon mrekullitë që ndodhën në ju, kaherë, të veshur në grathore e të mbuluar me hi do të kishin bërë pendesë! 14 Prandaj, Tiri e Sidoni Ditën e Gjyqit do ta kenë më lehtë se ju!
15 E ti, o Kafarnaum, a thua ndoshta do të lartësohesh deri në qiell? Do të plandosesh deri në fund të ferrit!'
16 Kush dëgjon ju, dëgjon mua. Kush përbuz ju, përbuzë mua. Kush përbuz mua, përbuz Atë që më ka dërguar.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që të të pëlqejë kushti ynë dhe, në saje të tij, të na burojë gurra e bekimeve të tua qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Krh. Ps 118, 49-50
Të të bjerë ndër mend fjala që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më ke dhënë shpresë, o Zot, ajo më ngushëlloi në vështirësinë time.
Ose: 1 Gjn 3, 16
Me këtë gjë e njohëm dashurinë e Hyjit: Ai e dhuroi jetën e vet për ne edhe ne duhet ta japim jetën për vëllezër.
Lutja pas kungimit
Ky mister qiellor na përtëriftë, o Zot, shpirtin e trupin, që ne, të cilët marrim pjesë në vdekjen e Krishtit, të bëhemi edhe pjesëtarë në lumturinë e tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.