Leximet e ditës

JAVA E XXVI GJATË VITIT

 

E SHTUNË

 

Antifona e hyrjes Dan 3, 31.29.30.43.42

 

Gjithçka na bëre, o Zot, e bëre plotësisht me të drejtë, sepse kemi mëkatuar kundër teje, e nuk i kemi dëgjuar urdhërimet e tua; por jepi lavdi emrit tënd, o Zot; sillu me ne sipas mirësisë sate të madhe.

 

Kolekta

 

O Hyj, Ti e tregon gjithëpushtetësinë tënde veçanërisht me falje e me mëshirë: na ndiko hirin tënd vazhdimisht, që duke vrapuar nga premtimet tua, të bëhemi bashkëtrashëgimtarë në të mirat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Leximi i parë (Job 42, 1-3.5-6.12-17) (fq. 656/7)

 

Tash sytë e mi të shohin.

 

Lexim prej Librit të Jobit

 

1 Jobi mori fjalën dhe iu përgjigj Zotit: 2 Mirë e di se je i gjithëpushtetshëm, çka sheston, je në gjendje ta bësh! 3 Kush është ai që me fjalë të marra provaninë hyjnore e errëson? Prandaj fola si i pamend për mrekullitë që s'i kuptoj. 5 Nuk të njihja veç me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë! 6 Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe pluhur.

12 Zoti e bekoi gjendjen e tanishme të Jobit më tepër se gjendjen e mëparshme. Kishte katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarica. 13 Pati edhe shtatë djem e tri vajza. 14 Të parën e quajti Pëllumbeshë, të dytën Lulekallame e të tretën Luleqepalle. 15 Në mbarë vendin nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit. Baba i tyre u dha trashëgim si vëllezërve të tyre.

16 Pas këtyre ngjarjeve Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e vet dhe bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. Atëherë Jobi vdiq plot vjet dhe i kënaqur me jetë të gjatë.

 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 119 (118), 66.71.75.91.125.130 (fq. 797)

 

Ref. Ma e trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

66 Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen,

sepse u besoj urdhërimeve të tua.

71 Është mirë për mua që vuajta,

kështu do ta mësoj vullnetin tënd.

 

Ref. Ma e trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

75 E di, o Zot, se gjyqet e tua janë të drejta,

me plot të drejtë më përule.

91 Me urdhrin tënd gjithçka qëndron deri më sot,

sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

 

Ref. Ma e trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

125 Unë jam shërbëtori yt,

më jep kuptim t'i njoh dëshmitë e tua.

130 Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:

të miturit i bën të urtë.

 

Ref. Ma e trego, o Zot, dritën e fytyrës sate.

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e mbretërisë qiellore.(Mt 11, 25)

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 10, 17-24) (fq. 1478)

 

Gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

 

Në atë kohë, 17 të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: »Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!«

18 Jezusi u tha: »Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s'do të mund t'ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!«

21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare: »Të madhëroj, o Atë, Zotëruesi e qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve! Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu! 22 Gjithçka më dorëzoi im Atë! Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit dhe atij, kujt Biri do t'ia zbulojë.«

23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht: »Lum sytë që shohin çka po shihni ju! 24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.«

 

Fjala e Zotit

 

Lutja mbi dhurata

 

Bëj, o Hyj i mëshirshëm, që të të pëlqejë kushti ynë dhe, në saje të tij, të na burojë gurra e bekimeve të tua qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit Krh. Ps 118, 49-50

 

Të të bjerë ndër mend fjala që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më ke dhënë shpresë, o Zot, ajo më ngushëlloi në vështirësinë time.

 

Ose: 1 Gjn 3, 16

 

Me këtë gjë e njohëm dashurinë e Hyjit: Ai e dhuroi jetën e vet për ne edhe ne duhet ta japim jetën për vëllezër.

 

Lutja pas kungimit

 

Ky mister qiellor na përtëriftë, o Zot, shpirtin e trupin, që ne, të cilët marrim pjesë në vdekjen e Krishtit, të bëhemi edhe pjesëtarë në lumturinë e tij. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.