Leximet e ditës
JAVA E XXVII GJATË VITIT
E DIEL
A
Antifona e hyrjes Krh. Est 4, 17
Gjithçka, o Zot, është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i kundërshtojë vullnetit tënd. Ti ke krijuar çdo gjë: qiellin e tokën, të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore. Ti je Zotëruesi i të gjithave.
Thuhet Lavdi.
Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore
e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.
Ne po të lëvdojmë,
po të bekojmë,
po të adhurojmë,
po të madhërojmë,
po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi.
Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,
Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,
Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.
Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne.
Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,
vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,
së bashku me Shpirtin Shenjt,
në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, mirësia jote i tejkalon meritat dhe dëshirat tona: ki mëshirë për ne, na fal çka ndërgjegjja jonë na padit, e shto ato që lutja jonë nuk i përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Is 5, 1-7) (fq. 978/9)
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
1 Do t'ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. 2 E rrëmihi, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin. Priste se do t'i bënte rrush, por ai i bëri vetëm larushk.
3 Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim. 4 Ç'u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s'e paskam bërë? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk?
5 Juve tash po ju dëftoj ç'do t'i bëj unë vreshtit tim: do tà shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë djerrinë do t'i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelim mirë e mirë. 6 Le të bëhet krejt i shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t'u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë. 7 Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi, drejtësinë prita, jo ofshamat!
Fjala e Zotit
Psalmi 80 (79), 9.12.13-14.15-16.19-20 (fq. 750)
Ref. Vreshti i Zotit është shtëpia e Izraelit.
9 Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.
12 pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i qiti deri në Lumë.
Ref. Vreshti i Zotit është shtëpia e Izraelit.
13 Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
14 E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
Ref. Vreshti i Zotit është shtëpia e Izraelit.
15 Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
16 deli zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
Ref. Vreshti i Zotit është shtëpia e Izraelit.
19 Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.
20 O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
Ref. Vreshti i Zotit është shtëpia e Izraelit.
Leximi i dytë (Fil 4, 6-9) (fq. 1658)
Hyji që jep paqen do të jetë me ju.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipjanëve
Vëllezër, 6 për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka ‑ me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim ‑ paraqitni Hyjit nevojat tuaja! 7 Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë do t'i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
8 Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. 9 Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua ‑ atë bëni ‑ dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.
Fjala e Zotit
Aleluja!
Unë ju zgjodha në mes të botës, thotë Zoti, që të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë. (Gjn 15, 16)
Aleluja!
Ungjilli (Mt 21, 33-43) (fq. 1414)
Vreshtin e vet do t'ua japë vreshtarëve tjerë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit: 33 »Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotështëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 36 Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu. 37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: 'Do të kenë nderim ndaj djalit tim!'
38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: 'Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.' 39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. 40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?«
41 I përgjigjën: »Të këqijtë do t'i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t'ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t'i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.« 42 Jezusi u tha: »A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç'mrekulli në sytë tanë!' 43 Prandaj - po ju them - juve do t'ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t'i jepet një populli që i prodhon frytet e saja!«
Fjala e Zotit
Thuhet Besoj.
Besoj në një Hyj të vetëm,
Atin e gjithëpushtetshëm,
krijuesin e qiellit e të tokës,
të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen.
Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin,
një të vetmin Birin e Hyjit,
të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.
Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,
Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.
I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin,
nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet.
Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.
Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:
E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt
prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri.
U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat,
pësoi dhe u varros
dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve
e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit.
Dhe përsëri do të vijë me lavdi
për të gjykuar të gjallët e të vdekurit,
e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,
që rrjedh prej Atit e prej Birit,
që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet,
që foli me anë të profetëve.
Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike.
Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve.
Pres ngjalljen e të vdekurve
dhe jetën e pasosur. Amen.
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e themeluar prej teje dhe bëj që shërbesa e këtyre mistereve, që po e kremtojmë sipas urdhrit tënd, ta plotësojë shëlbimit tënd dhe të na shenjtërojë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Vaj 3, 25
I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të, ndaj shpirtit që e kërkon.
Ose: Krh. 1 Kor 10, 17
Edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë marrim pjesë në një bukë e në një kelk.
Lutja pas kungimit
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të gjithë ne, pasi e morëm këtë sakrament si ushqim dhe pije shpirtërore, të shndërrohemi në atë që kemi marrë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.