Leximet e ditës
JAVA E XXVII GJATË VITIT
E MARTË
Antifona e hyrjes Krh. Est 4, 17
Gjithçka, o Zot, është në dorën tënde dhe askush s’mund t’i kundërshtojë vullnetit tënd. Ti ke krijuar çdo gjë: qiellin e tokën, të gjitha mrekullitë që i përfshin kupa qiellore. Ti je Zotëruesi i të gjithave.
Kolekta
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, mirësia jote i tejkalon meritat dhe dëshirat tona: ki mëshirë për ne, na fal çka ndërgjegjja jonë na padit, e shto ato që lutja jonë nuk i përfshin. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Leximi i parë (Gal 1, 6-12) (fq. 1639/40)
Ungjillin nuk e mora prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, fort po çuditem që kaq shpejt po e lini Atë, që ju thirri në hir të Krishtit, për të kaluar në një Ungjill tjetër. 7 E pra, Ungjill tjetër nuk ka! Por po, ka asi njerëzish që ju turbullojnë dhe që duan ta shndërrojnë Ungjillin e Krishtit.
8 Tashti, në qoftë se edhe ne vetë ose edhe ndonjë engjëll prej qiellit ‑ ju predikon një Ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që ju patëm predikuar ne ‑ qoftë mallkuar! 9 Sikurse ju thamë më parë, po ju them edhe tani përsëri: nëse ndokush ju shpall një ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që e pranuat ‑ qoftë mallkuar!
10 Pse, a thua unë ndoshta kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit? A mos kërkoj t'u pëlqej njerëzve? Po t'u mundoja ende t'u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.
11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; 12 sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
Fjala e Zotit
Psalmi 111 (110), 1b-2.7-8.9.10c (fq. 790)
Ref. Zoti është besnik në premtimin e vet.
1 Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.
2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t'u shqyrtuar prej atyre që i duan.
Ref. Zoti është besnik në premtimin e vet.
7 Veprat e duarve të tij janë drejtësi e besnikëri,
urdhërimet e tij janë të vërteta,
8 të qëndrueshme në jetë të jetëve,
të themeluara mbi të vërtetën e drejtësinë.
Ref. Zoti është besnik në premtimin e vet.
9 Shpërblim i dha popullit të vet,
Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:
i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij.
10 Fillimi i dijes është frika e Zotit.
Ref. Zoti është besnik në premtimin e vet.
Aleluja!
Të lumtë ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë me dashuri. (krh. Lk 11, 28)
Aleluja!
Ungjilli (Lk 10, 38-42) (fq. 1479)
Marta e priti Jezusin në shtëpi. Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t'i merret.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, 38 Jezusi hyri në një fshat dhe një grua, me emër Martë, e priti në shtëpi.
39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij.
40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: »Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!« 41 »Martë, Martë - iu përgjigj Zotëria - ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet Maria zgjodh pjesën më të mirën që nuk do t'i merret.«
Fjala e Zotit
Lutja mbi dhurata
Pranoje, o Zot, flinë e themeluar prej teje dhe bëj që shërbesa e këtyre mistereve, që po e kremtojmë sipas urdhrit tënd, ta plotësojë shëlbimit tënd dhe të na shenjtërojë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Antifona e kungimit Vaj 3, 25
I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në të, ndaj shpirtit që e kërkon.
Ose: Krh. 1 Kor 10, 17
Edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë marrim pjesë në një bukë e në një kelk.
Lutja pas kungimit
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj që të gjithë ne, pasi e morëm këtë sakrament si ushqim dhe pije shpirtërore, të shndërrohemi në atë që kemi marrë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.